Mblidhet komisioni për Dezinformimin, opozita e bojkoton! Braçe: Objekti i punës është interesi kombëtar

2 months ago 25
Reklamë

Ditën e sotme është mbledhur Komisioni i Posaçëm kundër Dezinformimit me kryetar Erion Braçen. Kjo është mbledhja e parë e këtij Komisioni. Ndërsa opozita, njësoj si “Antikorrupsionin” ka zgjedhur ta bojkotojë edhe këtë mbledhje. Kryetari, Erion Braçe theksoi se opozita është pjesë e rëndësishme e kësaj lufte, ndaj i bëri thirrje që të marrin pjesë. Ai gjithashtu bëri me dije se Komisioni do të marrë shembujt më të mirë nga BE dhe SHBa në interes të sigurisë kombëtare.

Braçe: Do të marrim shembujt më të mirë nga BE dhe SHBA. Opozita duhet të jetë pjesë e rëndësishme e kësaj lufte. Unë dhe kolegët e mi kemi dhënë të gjithë kohën e mjaftueshme që opozita të njihet me fenomenin ta pranojë atë. Për të zbehur çdo lloj paragjykimi, objekti i punës nuk do të jetë individi. Çdo individ ka hapësirën e vet të mbështetur në ligj. Objekti i punës së këtij komisioni është interesi kombëtar dhe siguria kombëtare. Kjo betejë nuk bëhet pa median, media ka dy statuse kontributore dhe mbikëqyrëse e punës së këtij komisioni.

Edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi shprehu keqardhje për mungesën e opozitës.

Çuçi: Më vjen keq që koleget e opozitës megjithë ftesën e vazhdueshme nuk kane shprehur gatishmërinë për të ardhur në komision.

Komisioni i Posaçëm për Dezinformimin do të funksionojë për një afat kohor 1-vjecar, dhe synon të nxisë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike duke nisur nga fushatat e dezinformimit nëpërmjet mediave tradicionale dhe atyre sociale, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë si dhe ndikimin keqdashës ekonomik të aktorëve publike dhe minimin e veprimtarisë së shoqërisë civile.

Ngritja e Komisionit erdhi si propozim i socialistëve me firmat e 7 deputetëve, kërkesë që sipas tyre ndjek të njëjtën linjë me vendet perëndimore dhe Parlamentin Evropian në luftën kundër dezinformimin dhe ndërhyrjen nga vendet e huaja.

Në përfundim të punës 1-vjecare, Komisioni do të përgatisë një raport me analizat, gjetjet dhe propozimet për ndryshimet ligjore dhe  masat administrative./vizionplus.tv

Read Entire Article