Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ftoi opozitën të bashkohet në një federatë, si mënyra më e mirë për të krijuar një alternativë të besueshme.
“Ne do të kemi besimin dhe mbështetjen e njerëzve, kur të kuptojmë se fati ynë është i lidhur me shqiptarët dhe jo e kundërta, që fati i shqiptarëve qenka i lidhur me ne. Dhe po vij tek detyra jonë, federata apo konfederata e opozitës, quajeni si të doni, sepse opozita e bashkuar është rruga e vetme për të mposhtur të keqen e kësaj qeverie. Sepse opozita nuk duhet vetëm në Tiranë, por duhet të jetë në çdo skaj. Bashkimi i opozitës nuk mund të funksionojë vetëm si takim i kryetarëve të opozitës në Tiranë, por duhet të funksionojë në çdo qark, në çdo bashki. Me çdo individ. Çdo individ ka vlerë, por duke qenë bashkë fiton 100 herë më shumë vlerë për të qendruar dhe luftuar së bashku”, tha Mediu.
Gjendja në të cilën është sot opozita, shtoi Mediu, i shërben vetëm qeverisë.
“Opozita nuk mund të katandiset në qëllimin se kush do të jetë deputet, por duhet ta shohë parlamentin si vendin ku shqiptarët shikojnë dhe dëgjojnë mundësinë për të ardhmen dhe shpresën e tyre. Opozita nuk mund të mbyllet në meskinitetit dhe interesat e vogla përjashtuese të disa individëve, por duhet të hapet dhe të vendosë në bazë të disa vlerave të saj konkurimin, gjeneratën e re, vlerat më të mira. Opozita e liderëve duhet të ndryshojë dhe të bëhet opozita e shqiptarëve, që krijon hapësirën në Kuvend, nëpërmjet garës, gjeneratën e mrekullueshme të të rinjve e të rejave që jëtojnë ketu në Shqipëri dhe në vende të tjera”, deklaroi Fatmir Mediu.
Fatmir Mediu akuzoi Edi Ramën se gjatë qeverisjes së tij është sjellë si autoritar, duke e krahasuar me Aleksandër Vuçiç e Vladimir Putin, me qëllimin kryesor sipas tij, shkatërrimin e opozitës./vizionplus.tv