Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka zhvilluar një takim me homologun hungarez, Peter Szijjarto, ku theksi është vendosur në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat me interes të përbashkët, por edhe mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Në një deklaratë të përbashkët për mediat, Hasani ka vlerësuar rolin e homologut Szijjarto, për të cilin tha se ka dhënë një kontribut të vyer për zgjerimin dhe thellimin e prekshëm të marrëdhënieve tona.
“Urime Hungarisë për marrjen e kryesisë së Presidencës së radhës së BE. Bashkëpunimi politik Shqipëri-Hungari mbetet në nivele të larta”, tha Hasani.
Lidhur me bashkëpunimin ekonomik, kreu i diplomacisë shqiptare tha se Hungaria është e pranishme në tregun shqiptar si kurrë më parë.
Hasani theksoi se Presidenca hungareze e Këshillit të BE ka si prioritet integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë kuadër, Hasani e konsideroi vizionin strategjik të Hungarisë për rajonin si të frytshëm për përshpejtimin e procesit integrues.
Ministri i jashtëm shqiptar tha se të dy vendet mbeten angazhuara për instensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë dypalësh./vizionplus.tv