Autoriteti i medias Audiovizive ka reaguar pas protestës së sotme të opozitës para godinës së Bashkisë së Tiranës, ku edhe këtë herë protesuesit përdorën mjete pirotkenike dhe molotov.
Me anë të një reagimi publik AMA denoncon përdorimin e mjeteve shpërthyese të cilat kanë vënë në rrezik jetën e operatorëve, kameramanëve dhe përfaqësuesve të medias që ndodheshin aty për të mbuluar protestën me informacion.
Sipas AMA-s përdorimi i këtyre mjeteve dhe rrezikimi i jetës së stafit të mediave është goditje për fjalën e lirë dhe kufizim për informimin e publikut.
AMA i ka bërë apel autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe organizatorëve të protestës, që ngjarje të tilla kaq të rënda dhe të rrezikshme për jetën e punonjësve të medias, të mos përsëriten më.
Reagimi i plote i AMA-s:
Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, përcolli me shqetësim sot paradite (28.05.2024), incidentin para godinës së Bashkisë së Tiranës, ku siguria e grupit të reporterëve dhe kameramanëve të medias u vu në rrezik si pasojë e përdorimit të lëndëve shpërthyese (molotov).
Pasiguria në punën e medias që mbulon një protestë a demonstratë është e papranueshme, është goditje për fjalën e lirë dhe kufizim për informimin e publikut.
Autoritetet ligjzbatuese të rendit, por dhe organizatorët e protestave, duhet të marrin masa konkrete për të mbrojtur aktivitetin e reporterëve në terren, për të lënë të hapur komunikimin e tyre me publikun në mbulimin e dinamikës së ngjarjeve.
Ju kërkojmë autoriteteve, që të identifikojnë sa më parë dhe të ndjekin ligjërisht çdo akt që sulmon drejtpërdrejt apo rrezikon ekipet e medias që janë në kryerje të detyrës.
Autoriteti i Mediave Audiovizive