Moti i keq ka përfshirë rajonin e Piemontes në Itali, duke shkaktuar dëme shumë të mëdha.
Në zonën e Torinos, Val di Susa dhe Val Chisone, janë regjistruar përmbytje të shumta.
Siç raportojnë mediet e huaja, një burrë i moshës 58-vjeçare është zhdukur, pasi u mor nga rrjedha e përroit Orco, teksa punonte me traktor. Në Val di Susa, lumi Gerardo ka vërshuar duke izoluar rreth 50 persona në disa fshatra.
Gjithashtu probleme ka pasur edhe në zonën e Savonës dhe Imperias për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut që kanë prekur rrugët dhe hekurudhën drejt kufirit me Francën.
Ndërsa në Mattie, shembja e një ure ka lënë të izoluar 30 persona, ndërsa zjarrfikësit po punojnë për të përballuar dëmet.
Një stuhi e fuqishme goditi edhe Milanon, ku uji ka mbuluar rrugët. Situata mbetet kritike edhe në provincën e Lodit, ku kushtet atmosferike po shkaktojnë shqetësime dhe probleme në trafik. /vizionplus.tv