Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e mërkurë, 3 korrik 2024, të shpallet ditë zie shtetërore, me rastin e vdekjes së shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare.
Presidentja Osmani, në qershor të vitit të kaluar, kishte dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit.
Ndërkohë dita e sotme dhe e nesërme (2-3 korrik) janë shpallur ditë zie në Shqipëri në nderim të të ndjerit Ismail Kadare. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe private, flamuri kuq e zi është ulur në gjysmë shtizë.
Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore do të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ditën e mërkurë, nga ora 09:00 deri në orën 11:00 dhe nga ora 11:30 deri në orën 12:30. Për organizimin e homazheve dhe të ceremonisë shtetërore është ngritur një Komision i Posaçëm Shtetëror, nën mbikëqyrjen e Kryeministrit./vizionplus.tv