Negociatat mes PS dhe Rithemelimit për rikthimin në normalitet të Kuvendit, sot mblidhet Konferenca e Kryetarëve

6 months ago 21
Reklamë

Konferenca e Kryetarëve mblidhet sot në orën 13:30, ku pritet të diskutohet ngritja e dy komisioneve hetimore, të kërkuara nga opozita.

Shumica socialiste bashkë me pjesën e opozitës përfaqësuar prej Gazment Bardhit po tentojnë arritjen e një dakordësie e cila do t’i jepte fund kaosit të parlamentit nisur që prej muajit tetor të vitit që lamë pas.

Top Channel mëson se socialistët janë në pritje të hapave që do të hedhë Gazment Bardhi. Në takimet e javës së shkuar socialistët kanë shprehur gadishmëri të shqyrtojnë propozimet e Gazmet Bardhit për komisionet hetimore bazuar në vendimin e gjykatës kushtetuese dhe ligjin e ri për komisionet hetimore.

Socialistët nuk kanë ndërmend të hapin shishe shampanje apo ndonjë ceremoni pompoze në nënshkrimin e një marrëveshje mes Bledi Çuçit dhe Gazment Bardhit.

Tashmë pozicioni socialistëve është shumë i qartë. Tejkalimi bllokimit të parlamentit kalon përmes mekanizmave në kryesinë e kuvendit, ku platforma propozimeve dhe diskutimeve, është Konferenca e Kryetarëve.

Kujtojmë se opozita kërkon ngritjen e komisioneve hetimore dhe maxhoranca ka deklaruar se është e hapur që të plotësojë këto kërkesa.

Historiku i momenteve të bllokimit nga opozita të veprimtarisë normale të Kuvendit

Në 5 Tetor 2023, opozita nisi një aksion në parlament për shkak se maxhoranca vendosi të rrëzojë:

1. Kërkesën e grupit parlamentar të PD për caktimin e përfaqësuesit të saj në komisionin e reformës zgjedhore.
2. Ngritjen e Komisionit Hetimor për kontratat koncesionare në shëndetësi.
3. Ngritjen e Komisionit Hetimor për ndërhyrjet në sistemin TIMS.

Në atë seancë opozita bllokoi procesin e votimit.

Maxhoranca e kreu votimin në 12 tetor 2023, duke rrëzuar tre kërkesat e grupit parlamentar të PD.
Rrëzimi i 2 kërkesave për Komisione Hetimore më 12 Tetor vinte pas faktit që maxhoranca që nga 2021 kishte refuzuar edhe 5 kërkesa të dorëzuara kohë më parë (2 dorëzuar nga grupi që në atë kohe drejtohej nga Basha dhe 3 dorëzuar nga grupi që drejtohej nga Berisha).

Opozita reagoi ashpër për votimin e njëanshëm të datës 12 Tetor për rrëzimin e dy Komisioneve Hetimore dhe ndryshimit të përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe, nga seanca plenare e 19 Tetorit, nisi një aksion në Parlament për të pamundësuar veprimtarinë normale në Komisionet Parlamentare dhe seancave plenare.

Opozita shpalli publikisht tre kërkesa për të lejuar normalitetin në Parlament:

1. Lejimin e kontrollit parlamentar përmes pranimit të kërkesave të opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore, një e drejtë kushtetuese e opozitës që nuk varet nga vullneti i shumicës parlamentare;
2. Lejimin e Grupit Parlamentar të PD për t’u përfaqësuar në Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore, me kryetarin dhe anëtarët që përzgjidhen nga vetë opozita, duke hequr menjëherë dorë nga loja e emërimit të opozitës në Kuvend;
3. Shqyrtimin në kohë të propozimeve ligjore të deputetëve të opozitës, që prej 2 vjetësh mbahen pezull dhe nuk futen në procedurë parlamentare.

Nga ky moment, për 5 muaj, Kuvendi është përfshirë nga përplasjet mes palëve, duke mos zhvilluar mbledhje normale në Komisione dhe seancë plenare.

Opozita është zotuar publikisht se me përmbushjen nga mazhoranca të 3 kërkesave më sipër, Kuvendi rikthehet menjëherë në normalitet.

Top Channel

Read Entire Article