Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur këtë të dielë nënsekretaren amerikane të shtetit Elizabeth Allen. Pas diskutimeve u nënshkrua marrëveshja e mirëkuptimit ndërmjet qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.
Në një konferencë të përbashkët për mediat, nënsekretarja amerikane e Shtetit për Diplomaci dhe Çështje Publike, Elisabeth Allen e ka konsideruar formimin e asociacionit si hap thelbësor në jetësimin e synimeve euro-atlantike të Kosovës.
“Ne e mbështesim rrugëtimin e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike përmes bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë. Diskutuam edhe për hapat kryesor për udhëtimin euroatlantik të Kosovës përmes asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Allen.
Allen po ashtu përsëriti angazhimin e Uashingtonit për të ruajtur stabilitetin në Ballkan.
“Siguria dhe stabiliteti në Evropën Jugore dhe Qendrore, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, janë prioritetet kryesore që kam theksuar në çdo pjesë të udhëtimit tim në rajon”, u shpreh ajo.
Presidentja Osmani e vuri theksin te rreziku që vjen nga dezinformimi.
“Fushatat dezinformuese paraqesin një kërcenim të madh për stabilitetin dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, por edhe për Ballkanin Perëndimor në tërësi”, tha Osmani.
Sipas Osmanit ndikimi i Rusisë nëpërmjet Serbisë mbetet një kërcenim i vazhdueshëm për Ballkanin.
“Fatkeqësisht as Kosova nuk është kursyer nga këto sulme të cilat sa vijnë e intensifikohen si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon përmes satelitit të saj, Serbisë. Kjo jo vetëm që është shqetësuese por paraqet rrezik aktiv për destabilizimin e rajonit tonë. Rusia në këtë mënyrë po përpiqet të ushtrojë ndikim duke targetuar sukseset dhe arritjet e angazhimit të përbashkët të popullit të Kosovës me shtetet demokratike, në veçanti me SHBA-të”, u shpreh presidentja.
Pas presidentes Vjosa Osmani zyrtarja amerikane do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti. /vizionplus.tv