Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë izraelite (IDF) të përgatitet për mundësinë e marrjes përsipër të shpërndarjes së ndihmave humanitare në Gaza, duke ia hequr këtë detyrë organizatave ndërkombëtare humanitare dhe agjencive të mirëqenies.
Sipas një raporti të rrjetit izraelit Channel 12, Netanyahu në këtë fazë udhëzoi ushtrinë izraelite të shqyrtonte shërbimet logjistike, mekanizmat operacionalë dhe fuqinë punëtore të nevojshme për këtë projekt.
Njoftimi vjen një ditë pasi ai i tha kabinetit se Hamasit duhet t’i hiqet çdo rol, qeveritar ose tjetër, në Gaza dhe se hapi i parë drejt këtij qëllimi do të ishte “mos shpërndarja e ndihmave humanitare nga Hamasi”.
Kryeministri izraelit, në një konferencë për shtyp të hënën, tha se Izraeli ishte “shumë afër” për të çmontuar Hamasin ushtarakisht, “por ne ende duhet ta privojmë atë nga aftësia e tij për të qeverisur.”
“Kjo do të thotë se ne duhet të gjejmë një zgjidhje alternative për të gjithë ose një pjesë të konsiderueshme të shpërndarjes së ndihmave humanitare. Po punojmë tani dhe do ta arrijmë, sepse është pjesë e planit të ditës së ardhshme”.
Sipas Channel 12, Benjamin Netanyahu beson se shpërndarja ushtarake e ndihmave humanitare në Gaza do t’i lejojë Izraelit të fitojë kontroll më të madh mbi territoret palestineze, së bashku me kontrollin e Korridorit të Filadelfias (në kufirin Gaza-Egjipt).
Megjithatë, raporti thotë se IDF ka vlerësuar se kontrolli i plotë ushtarak i Rripit të Gazës mund t’i kushtojë Izraelit 11 miliardë dollarë në vit./vizionplus.tv