Nga mungesa e banesave sociale tek qiratë e larta, pse Spanja nuk i do turistët?

2 months ago 7
Reklamë

Shumë vende përmirësojnë politikat e tyre për të “thithur” sa më shumë turistë që përkthehen në të ardhura për vendasit dhe rritje ekonomike, por e kundërta duket se po ndodh në Spanjë. Shumë qytetarë kanë protestuar e madje konfrontuar turistët, duke iu kërkuar që të kthehen në vendet e tyre.

Por pse ndodh kjo?

Numri i të pastrehëve në Spanjë është rritur me 24% që nga viti 2012, pra në 28 mijë njerëz, sipas shifrave zyrtare, ndërsa, bazuar në një raport të Bankës së Spanjës, rreth 45% e njerëzve që jetojnë në banesa me qira janë në rrezik të varfërisë dhe përjashtimit social, duke shënuar kështu përqindjen më të madhe në Evropë. Numri i të pastrehëve është rritur ndjeshëm në Evropë gjatë dekadës së fundit, thotë Komisioni Evropian, por problemi në Spanjë qëndron tek numri i lartë i të rinjve që jetojnë me prindërit e tyre.

Më shumë se 60% e të rinjve nga mosha 18 deri në 34 vjeç jetojnë në banesën e prindërve të tyre. Për më tepër, nga viti 2008 deri në vitin 2022 Spanja kishte numrin më të shpejtë në rritje të të rinjve që jetonin me prindërit e tyre midis ekonomive kryesore evropiane.

Përqindja e banesave sociale arrin vetëm 1.5% të të gjitha banesave, ndërsa mesatarja evropiane është 9%. Konkurrenca për shtëpitë me qira është e “ashpër”: rreth 40 persona i përgjigjen çdo reklame të postuar në Madrid, sipas faqes së internetit për gjetjen e shtëpive “Idealista”, duke kthyer kështu gjeten e shtëpive me qira në një problem madhor për vendasit.

Plani aktual i qeverisë së Spanjës do të shtojë 184,000 njësi banimi sociale gjatë viteve të ardhshme. Kryeministri socialist spanjoll, Pedro Sanchez, tha në maj se do të dëshironte që pjesa e vendit të banesave sociale të arrinte mesataren evropiane deri në fund të mandatit të tij në 2027. Por Banka e Spanjës vlerëson se arritja e këtij objektivi do të kërkonte rreth 1.5 milion shtëpi shtesë. Ministrja e Strehimit, Isabel Rodriguez, tha të martën se qeveria po punon për një plan të ri në mënyrë që të respektojë angazhimin e Sanchez .

Plotësimi i kërkesës së tregut

Për të mbushur boshllëkun e lënë nga shteti, organizatat bamirëse po i drejtohen fondeve private. Apartamenti i dhënë një të pastrehi, të quajtur Karias është në pronësi të “Techo”, një fond investimesh sociale që ofron shtëpi me qira për bamirësi që ndihmojnë të pastrehët. Techo ka rreth 230 apartamente dhe punon me 50 organizata joqeveritare, të cilat paguajnë qira 30% më të ulët se qiratë e tregut.

Një tjetër organizatë bamirëse, Hogar Si, jep me qira 400 apartamente për të pastrehët. Përveç kësaj, qytetet e mëdha si Madridi përballen gjithashtu me migrim të brendshëm, nga fshati në qendrat urbane ku ka më shumë mundësi punësimi, sipas Diego Lothano, president dhe CEO i agjencisë së strehimit të kryeqytetit spanjoll.

Në Madrid, 48 mijë njerëz janë në një listë pritjeje për strehim social, vuri në dukje ai, dhe autoritetet e qytetit po punojnë për të trefishuar banesat sociale për të arritur në 15,000 deri në vitin 2030. Megjithatë, Lothano pranon se edhe kjo nuk do të plotësojë kërkesën. Ai kritikoi gjithashtu legjislacionin e fundit që synon mbrojtjen e të drejtave të qiramarrësve duke lejuar njerëzit në nevojë të qëndrojnë në shtëpinë e tyre me qira pa paguar qira deri në dy vjet, pasi ai beson se po i largon qiradhënësit nga qiratë afatgjata.

Pronarët kërkojnë garanci për të paguar qiranë, të cilën më të varfërit nuk mund ta përballojnë, sipas tre OJQ-ve. Të tjerë i drejtohen tregut më fitimprurës të qirave afatshkurtra, ku nuk zbatohen të njëjtat rregullore. Oferta e qirave afatgjata ka rënë me 15% gjatë një viti, ndërsa qiratë afatshkurtra, kryesisht për turistët, u rritën me 56% nga viti në vit në mars, sipas Idealista.

Pensionistja Carmen Cajamarza, 67 vjeç , mori një letër ku i kërkohej të largohej brenda një muaji nga banesa që ajo kishte marrë me qira në Madrid, pasi ndërtesa ku ajo kishte jetuar për 25 vjet iu shit një fondi investimesh argjentinase, i cili po e rinovon për ta dhënë me qira për turistët. Cajamarca tha se do të largohet nga Madridi.

 “Është vetëm për turistët, por njerëzit që kanë jetuar gjithmonë këtu, ku do të shkojnë?”, pyeti ajo.

Kriza është aq e madhe sa qytetet spanjolle po përpiqen të kufizojnë pronat me qira afatshkurtër për turistët. Në Cádiz, Eva Orihuela iu bashkua një lëvizjeje lokale për të ndaluar marrjen me qira të banesave nga turistët pasi nëna e saj 88-vjeçare Maria u dëbua nga banesa ku jetonte. Për fat të mirë në rastin e saj një klub lokal futbolli bleu shtëpinë e saj dhe e lejoi të qëndronte atje me të njëjtën qira.

Orihuela u lehtësua, por “ka shumë Maria të tjera”, theksoi ajo./vizionplus.tv

Read Entire Article