Ditën e sotme, gjatë seancës plenare pritet të votohet ngirtja e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion. Pavarësisht paralajmërimeve të opozitës për bojkot, Partia Socialiste nuk pranoi që ta heqë nga redi i ditës votimin për ngritjen e Komisionit.
Grupi i Rithemelimit deklaroi një ditë më parë se nuk do e mbështesin me votë ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion dhe se do bojkotojnë.
Edhe kreu i PD, Lulzim Basha, para nisjes së Kuvendit tha se kjo është një manovër elektorale e Ramës dhe se PD nuk bëhet pjesë e këtyre lojërave.
Basha gjithashtu gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se propozimi i një komisioni tjetër kundër korrupsionit është një mënyrë për të varrosur aktet e depozituara nga PD për të luftuar korrupsionin. Sipas Bashës këto akte janë të vetmet që kanë qëllim të vërtetë luftën ndaj korrupsionit.
Basha: Teatri që bëhet në këtë sallë bëhet për një arsye të vetme, sepse kryetarja e Kuvendit dhe askush tjetër në këtë sallë nuk kthen dot përgjigje pyetjes se pse ndërkohë që kërkohet ngritja e një tjetër komisioni kundër korrupsionit, të vetmet akte të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë për luftë kundër korrupsionit, janë varrosur nga kjo qeveri e përmbysur moralisht në aferat korruptive, të kësaj qeverie të zhytyr deri në grykë në këto afera. Sot sillni në këtë sallë një propozim për një komision që përdoret kur do të varrosësh një ide të mirë apo mos të bësh asgjë. Prej një muaji janë dorëzuar amendamentet e PD për të ndihmuar SPAK financiarisht. Pse refuzoni ta sillni për diskutim. Çfarë ju shtyn të mbani për më shumë se 6 muaj larg debatit parlamentar propozimin tonë për barazinë e qytetarëve shqiptarë para ligjit përmes heqjes së imunitetit parlamentar. Pse bëni sikur nuk e shikoni ligjin për vetingun e politikanëve që ka që në 15 nëntor në Kuvend. Korrupsioni më i madh është korrupsioni zgjedhor. Keni propozimet tona, të cilat nuk i sillni./vizionplus.tv