Kryetari I Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dha lajmin e mirë për nisjen e punimeve për ndërtimin e terminalit Veri-Perëndimor të autobusëve, me vendndodhje te kthesa e Kamzës. Gjatë inspektimit në terren, ai tha se problemet me pronësinë, që e mbajtën peng prej 9 vitesh zbatimin e këtij projekti, kanë marrë fund.
“Jam vërtet entuziast sepse kemi 9 vite që e presim këtë ditë. Kemi pasur një sërë gjyqesh dhe kemi provuar në vetë të parë se çfarë do të thotë drama e një gjyqësori, e një sistemi totalisht të shkalafitur të pronave, të zaptuesve, të legalizimit, të hipotekave, por më në fund ia kemi dalë që t’i fitojmë të gjitha betejat. Sot ia kemi dalë që të fillojmë edhe punën, është një fillim i mbarë i një projekti që kemi vite që e presim”, tha Veliaj.
Sipas tij, ky është një nga projektet më jetike për Tiranën, që do t’i japë zgjidhje edhe trafikut. “Tani është puna e dukshme, por puna e padukshme ishin betejat ligjore, administrative. Më në fund fitoi publiku, fitoi e përbashkëta, jo një privat, jo një zaptues, për një tokë që ishte gjithmonë tokë e shtetit, por që gjithmonë i dilnin yçkla, që gjithmonë e kishte dikush një njohje, një taraf, një zgjidhje të shkurtër, për atë që në fakt ishte një nga projektet më të nevojshme, më jetike të Tiranës”, shtoi ai.
Duke dhënë detaje mbi projektin, kryebashkiaku u shpreh se do të jetë i ngjashëm me Terminalin Lindor të Autobusëve, por 5 herë më i madh. Madje, pjesë e këtij terminali do të jetë edhe një lulishte, e cila mund të frekuentohet nga udhëtarët apo banorët e zonës.
“Është shumë i gjashëm me terminalin lindor të Tiranës, por 5 herë më i madh se ai. Nëse terminali që kemi në Lundër është kryesisht për linjat e juglindjes dhe Greqinë e Veriut, Maqedoninë e Turqinë, këtu bëhet fjalë për linjat e veriut, jugut të Shqipërisë dhe linjat e tjera ndërkombëtare, që shkojnë si nga veriu, edhe nga jugu. Nuk do të jetë i gjithë park autobusësh sepse pjesa më e madhe është lulishte. Kjo do të thotë se banorët e kthesës së Kamzës, të Mëzezit, banorët e Laprakës, fitojnë një lulishte të madhe, e cila ka edhe shërbimin e autobusëve”, tha më tej Veliaj.
“Këtu do të kemi një transport multimodal. Pas atyre pemëve atje, kemi edhe binarët që duken, është stacioni i trenit, i cili do të ndalojë këtu në kthesën e Kamzës. Sigurisht, do të ketë edhe një stacion qytetas, që do të vijë te fillimi i Bulevardit të Ri, por mallrat, kargo, apo ndërrimi nga treni në autobus do të ndodhë tek ky terminal i madh. Përbri rrugës, do të kemi stacionin e autobusëve lokalë, pra ajo që ne e quajmë Urbani”, shtoi ai.
Për efekt pune, në mes të tetorit, Veliaj tha se do të bëhet transferimi i terminalit provizor. “Rreth datës 15 tetor do të bëjmë transferimin e ndërmjetësuar nga Tirana Parking tek ky territor ku jemi tani. Të gjithë autobusët që shkonin në fund, do të vijnë këtu që të ndërtojmë terminalin kryesor. Do të jetë një terminal si në aeroport”, tha kryebashkiaku i Tiranës.
Ndërsa, bëri një rezyme të investimeve të sukseshme të Bashkisë së Tiranës, Veliaj shtoi se të gjitha projektet e mëdha janë sulmuar nga opozita, e cila nuk ia ka dalë dot që t’i bllokojë.
“Fakti që terminali i parë, terminali lindor, prodhoi sukses dhe ka ulur ndjeshëm tensionin e trafikut në rrugën e “Elbasanit”, presim që të shikojmë të njëjtin rezultat tek rrethrrotullimi i “Shqiponjës” dhe lagjja “Rilindja”, e cila ka pësuar një transformim total. Unë e di që të gjitha projektet e mëdha sulmohen, – jo po do kalosh mbi trupin tim, jo po këtu s’kalon, jo po këtu është vijë e kuqe, vijë e verdhë – ndërkohë, e pamë që shkatërrimi i këtyre vijave idiote imagjinare në kokën e disave prodhoi rezultat ekonomik për të gjithë zonën e lagjes “Rilindja”, ku Unaza e Madhe ka çliruar të gjithë atë energji, duke rritur vlerën e apartamenteve”, përfundoi ai.
/a.r