“Një katastrofë e madhe”, tregtarët të përlotur nga zjarri në Lushnjë: Nuk mund ta përshkruaj, njerëzit po bërtisnin…

8 months ago 31
Reklamë

Një ditë pas zjarrit masiv në qendrën tregtare në Lushnjë, tregtarët të dëshpëruar, tregojnë ngjarjen dhe përjetimet e tyre.

“Kam një njësi tregtare. Jam në katin e parë, i cili nuk u përfshi, ishte një kat më lart zjarri. Zjarri agravoi dhe u bë aq sa ishte e mundur nga forcat zjarrfikëse”, tha një nga tregtarët.

E keni të siguruar mallin?

“Jo, nuk gjej fjalë ta përshkruar, ushqehen 500 familje në këtë qendër, është dëm katastrofik. Nuk isha i pranishëm në ngjarje, zjarrfikësit me ato mjete që kishin, që nuk ishin të përshtatshme as për lartësinë e objektit, nuk mund të themi asgjë”, shprehet tregtari.

Një tjetër u shpreh se zjarri ka shkaktuar 50 milion lekë dëme në biznesin e tij.

“50 milion lekë dëme, nuk ka ngelur asgjë. Kur ra zjarri ishte një periudhë kohe që nuk kishte shumë njerëz për momentin”, tha ai.

Një qytetare, me lot në sy e quan ngjarjen një katastrofë të madhe, pasi dëmet në biznesin e saj janë të mëdha.

“Jemi te kati i nëndheshëm dhe nuk dimë asgjë. Kur ra zjarri nuk ishim aty”, tregon ajo.

Si e përjetuat?

“Shumë keq, vazhdojmë ta përjetojmë keq, katastrofë e madhe, po të paktën nuk ka humbje jete, kjo është kryesorja. Mbase do rregullohet. Për fikjen e zjarrit ishte një punë kolosale, tani nuk dimë asgjë se nuk e kemi parë asgjë brenda”, u shpreh qytetarja.

“Në momentin që ra zjarri ishim duke marrë mallin nga makina, sa kishim marrë furnizimin. Po bërtisnin njerëzit, filloi tymi. Për momentin nuk e kuptuam. Ishte llahtari, njerëzit që kërkonin ndihmë, fëmijët… nuk mund ta përshkruaj llahtarin që kam parë”, tregon një tjetër.

Kati i katërt ku ndodhej biznesi është i shkatërruar totalisht, ndërkohë që dëme ka edhe në pjesën tjetër të godinës.

Zjarri u arrit të neutralizohej rreth mesnatës, pas gati 9 orë betejë me flakët nga ana e zjarrfikësve, forcave policore dhe RENEA-s. Gjatë gjithë natës, në godinë kanë qëndruar zjarrfikësit për të parandaluar një tjetër riaktivizim të vatrave.

Ndërkohë, vendngjarja vazhdon të jetë e rrethuar me kordon sigurie dhe askush nuk lejohet të kalojë.

Zjarri u aktivizua rreth orës 14:40. Si pasojë u rrezikua jeta e shumë njerëzve, të cilët ndodheshin aty për pazar si dhe për të festuar ditën e krishtlindjeve, por dhe banorëve të pallatit 12-katësh. Të frikësuar dhe të panikosur, dy fëmijë të vegjël u ngjitën në tarracën e pallatit. Ata u shpëtuan nga forcat RENEA. Sipas autoriteteve, 39 persona si dhe tre zjarrfikës u dërguan drejt spitalit të Lushnjës për ndihmë mjekësore.

Top Channel

Read Entire Article