Një rrugë në Tiranë merr emrin e Tomor Malasit, Veliaj: Një njeri që ka ngelur në kujtesën e këtij qyteti

3 months ago 25
Reklamë

Një rrugë në kryeqytet do të mbajë emrin e Tomor Malasit, ish-kryebashkiakut të parë të Tiranës dhe një prej figurave të spikatura të Partisë Demokratike pas viteve 90.

“Tomor Malasi ishte njeriu që, opozita e asaj kohe, Partia Demokratike, ia besoi përfaqësimin e Tiranës, kryeqytetit tonë. Tomor Malasi pati fatin të ishte kryetari i Tiranës që shembi murin e lëvizjes së lirë në Shqipëri. Malasi e shembi këtë mur dhe liberalizoi vendosjen në Tiranë të të gjithë atyre që donin të vinin nga çdo skaj i vuajtur dhe tejet i vështirë i Shqipërisë, duke e kthyer atë, pas 30 vitesh, në metropolin më të madh të Ballkanit Perëndimor”, tha Veliaj.

Veliaj shtoi se Malasi u rreshtua në grupin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të PD-së, të cilët kërkonin që kjo forcë politike dhe ish Presidenti Berisha, të mbanin përgjegjësi për fajdet që shkaktuan trazirat e vitit 1997.

“Në atë vit të mbrapshtë të Shqipërisë, iu bashkua grupit të deputetëve të PD, që u bënë rezistencë atyre politikanëve që donin t’i vinin zjarrin Shqipërisë për interesa të politikës së momentit. Ai u tërhoq nga të qenit politikan aktiv, duke mbetur një qytetar model i kryeqytetit tonë, një njeri që ka ngelur në kujtesën e këtij qyteti, si simbol i vlerave politike dhe i vlerave qytetare dhe njerëzore të Tiranës sonë të madhe”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj shtoi se në rolin e tij si nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë në vitet ’92-’96, Tomor Malasi dëshmoi urtësi të rrallë në vitet jashtëzakonisht të vështira të tranzicionit.

Read Entire Article