Nju Jork, shtyhet deri të paktën në shtator dhënia e dënimit për ish-presidentin Trump

4 months ago 26

Dhënia e dënimit për ish-presidentin Donald Trump për çështjen penale në lidhje me pagesat në Nju Jork është shtyrë deri të paktën në muajin shtator. Gjykatësi ra dakort të martën se do të shqyrtojë ndërkohë ndikimin e mundshëm të vendimit të Gjykatës së Lartë në lidhje me imunitetin presidencial.

Gjykata e Nju Jorkut pati caktuar fillimisht datën 11 korrik për të dhënë dënimin për ish-presidentin Trump për veprat penale në lidhje me falsifikimin e të dhënave të biznesit. Zoti Trump mohon të ketë bërë ndonjë shkelje.

Shtyrja do të bëhet për deri të paktën më 18 shtator, rreth një muaj pasi të jetë mbajtur Konventa Kombëtare Republikane, ku pritet që zoti Trump të marrë zyrtarisht emërimin si kandidat i kësaj partie për zgjedhjet presidenciale.

Nuk pati komente të menjëhershme nga ekipi elektoral i ish-presidentit Trump, apo nga prokurorët në Manhatan që ngritën çështjen penale.

Një vendim i Gjykatës së Lartë u dha të hënën imunitet të gjerë presidentëve amerikanë, duke ua kufizuar njëkohësisht prokurorëve shfrytëzimin e veprimeve zyrtare si evidencë për të provuar se një president amerikan mund të shkelur ligjin gjatë veprimtarisë së tij jozyrtare.

Disa orë pasi u dha vendimi i Gjykatës së Lartë, avokatët e ish-presidentit Trump kërkuan që gjykatësi i Nju Jorkut, Juan M. Merchan të lërë mënjanë vendimin për fajësinë të dhënë nga juria dhe të shtyjë dhënien e vendimit, ndërsa do të shqyrtojë se si vendimi i Gjykatës së Lartë mund të ndikojë tek çështja penale në Nju Jork.

Gjykatësi shkruajti se do të vendosë më 6 shtator dhe se dita më e afërme për dhënien e dënimit do të jetë 18 shtatori, “nëse do të vazhdojë të jetë e nevojshme”.

Në kërkesën e paraqitur të hënën, avokatët mbrojtës shprehen se prokurorët e Manhatanit patën vendosur “theks të madh paragjykues tek evidenca nga aktet zyrtare”, përfshirë postimet e ish-presidentit Trump në mediat sociale dhe dëshmitë për takimet në Zyrën Ovale.

Prokurorët thanë përpara se gjykatësi të jepte vendimin të martën se besonin se këto argumenta ishin “të pabaza”, por se nuk do të kundërshtonin shtyrjen e dhënies së dënimit për dy javë, ndërsa gjykatësi do ta shqyrtonte çështjen.

Ish-presidenti Trump u gjend fajtor më 30 maj për 34 akuza penale në lidhje me falsifikimin e të dhënave të biznesit, me qëllim fshehjen e një pagese prej 130 mijë dollarësh për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, Stormy Daniels, pak përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Zonja Daniels pretendon se pati një marrëdhënie seksuale me zotin Trump në vitin 2006 pasi e takoi në një turne golfi në Lake Tahoe. Ish-presidenti Trump e ka mohuar vazhdimisht këtë pretendim dhe e tha këtë sërish gjatë debatit televiziv më 27 qershor me presidentin Joe Biden.

Prokurorët thanë se pagesa për zonjën Daniels ishte pjesë e një skeme më të gjerë për të blerë heshtjen e personave që mund të dilnin publikisht gjatë fushatës elektorale me histori turpëruese për marrëdhënie jashtëmartesore. Prokurorët thanë se ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen, i bëri pagesat për zonjën Daniels dhe se më vonë ai rimbursua nga zoti Trump, kompania e të cilit i regjistroi pagesat si shpenzime ligjore.

Falsifikimi i të dhënave të biznesit ndëshkohet me deri në katër vite burgim. Dënime të tjera mund të jenë dënimi me kusht, gjobë ose lirim me kusht që do të shoqërohej me kushtëzimin që ish-presidenti të mos bënte shkelje të mëtejshme. Zoti Trump është ish-presidenti i parë amerikan që u gjend fajtor për një vepër penale./voa

Read Entire Article