“Nuk u fsheha, isha përballë drejtësisë”, zbardhet dëshmia e Mediut në sallën e gjyqit: Ju duhet një “kokë turku” për Gërdecin

5 months ago 22

Është zbardhur deklarata e plotë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu në seancën e sotme gjyqësore për dosjen Gërdeci.

Ai u shpreh se prej 17 vitesh po ndiqet dhe persekutohet. Ish-ministri Mediu theksoi se pas tragjedisë nuk u largua dhe nuk u fsheh, por qëndroi përballë drejtësisë.

Shton se dorëheqja e tij erdhi si pasojë e përgjegjësisë morale, po kjo nuk mund të keqpërdoret si dobësi për tu shndërruar në përndjekje penale për 17 vjet.

Fatmir Mediu: 17 Vjet persekutim dhe anatemim personal dhe familjar, se gjoja unë isha krimineli që shpërtheu Gërdecin.

Ministri akuzohet se duhet të dinte ku ishte Gërdeci, ç’bënte Shtabi dhe ushtarakët, kompania, rojet dhe punëtorët, cilat ishin rregullat e municioneve dhe sigurimit teknik.

Për ironi, ata që i bënin këto deklarata dhe nxisnin çdo opinion, po të shikoni gjithë rastet e sotme objekt hetimi dhe gjykimi të kësaj godine, shmangin përgjegjësinë dhe dijeninë për veprimet që ju i konsideroni kriminale, për vete dhe bashkëpunëtorët e tyre më të afërt.

Unë, pa asnjë hezitim, mora përgjegjësinë morale dhe nuk i vura kujt gishtin si përgjegjës, sepse mendova se këtë do ta bënte drejtësia.

Nuk u fsheha, nuk u largova, por dorëzova imunitetin dhe kam qënë këtu përballë drejtësisë. Por unë kam menduar të përballem me ligjin dhe jo  me manipulimin.

E dhashë dorëheqjen për përgjegjësi morale, por kjo nuk mund të keqkuptohet dhe keqpërdoret si dobësi për t’u shndërruar në përndjekje penale për 17 vjet. Përndjekje që vazhdon kundër çdo ligji dhe rregulli për një proces të drejtë.

Padyshim, Gërdeci ishte tragjedi. I kuptoj dhe gjykimet e opinionit, por ashtu besoj të kuptoni dhe ju ftohtë se duhet të respektoni ligjin! Afërmendsh, në drejtësi nuk vepron dëshira, por vepron prova dhe ligji.

Po më lejoni t’ju pyes edhe pse e di që s’do të marr përgjigje: Kush i jep lejet dhe koncesionet për minierat? I jep Qeveria dhe Ministri. Çdo 6 muaj vriten njerëz në miniera. Pse nuk merret përgjegjës ministri? Po ashtu në ndërtime. Edhe ndërtimet kanë viktimat e tyre, kush i jep lejet? Pse nuk merren të pandehur kryetarët e bashkive dhe ministrat, se nuk janë zbatuar rregullat teknike?

Para Gërdecit janë vrarë mbi 100 njerëz në Qafë Shtamë, Gjegjan, Gjirokastër, Dhëmblan. U mbytën 19 persona në det. Janë vrarë 2 muaj pas Gërdecit në Uzinën Ushtarake të Poliçanit, janë vrarë në Skrapar në 2011. Pse nuk u ngarkuan ministrat me përgjegjësi, se si ishte magazinuar, ruajtur dhe demontuar municioni. Apo në rastin e Gërdecit duhet një kokë turku??

Mediu deklaroi se interesi i tij i vetëm ka qenë zbatimi i detyrimeve komëbtare dhe ndërkombëtare që vendi të bëhej pjesë e NATO-s. Teksa shton se ekspertët janë zgjedhur në kundërshtim me ligji pasi nuk janë ekspertë të pavarur.

Fatmir Mediu: Ju nuk keni zgjedhur ekspertë të pavarur, por keni zgjedhur ekspertët që doni, në kundërshtim të hapur me ligjin. Ata janë përfaqësues të shtetit, në konflikt të hapur interesi.

Pse nuk pranoni të bëni eksperimentin sesi ndodhi shpërthimi? Çfarë ju pengon? Apo vetëm fakti se e dini shumë mirë që keni ndërtuar një proces mbi një provë që nuk ekziston?

Sipas ish-ministrit, ky nuk është proces i drejtë, “por një proces pa bazë dhe persekutues”, i cili nuk i jep mundësinë të argumentojë dhe të mbrohet në kohë.

Ai thotë në sallën e gjyqit se në asnjë raport, gjatë kohës kur ishte ministër i Mbrotjtjes nuk ishte informuar se në Gërdec nuk kishte rregulla.

Fatmir Mediu: Në asnjë raport, si Ministër i Mbrojtjes nuk kam marrë asnjë informacion se në Gërdec nuk kishte rregulla. Sipas deklarimit të Shefit të Shtabit të Pergjithshëm funksiononte si çakmak dhe ishte si farmaci.

Vetëm 15 ditë përpara shpërthimit, në mbledhjen e Shtabit të Përgjithshëm, u tha se “po të jetë për furrën e Mjekësit (Projekti NATOS) kemi 100 herë më mirë linjën e demontimit në Gërdec.”

/vizionplus.tv

Read Entire Article