Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje që të gjitha vendet të njohin shtetin palestinez për të siguruar paqen në Lindjen e Mesme. Ekspertë të organizatës përfshirë, raportuesen për të drejtat e njeriut në Gaza, Francesca Albanese, përmes një deklaratë të përbashkët këmbëngulin se zgjidhja me dy shtete mbetet rruga e vetme për të zgjidhur situatën në Gaza e për t’i dhënë fund ciklit të dhunës.
“Njohja e shtetit palestinez është parakusht për paqen e qëndrueshme në Palestinë dhe në të gjithë Lindjen e Mesme, duke nisur me shpalljen e menjëhershme të një armëpushimi në Gaza dhe pa ndërhyrje të mëtejshme ushtarake në Rafah”, tha OKB.
Thirrja vjen pak kohë pasi tre vende europiane, Spanja, Norvegjia dhe Irlanda njohën zyrtarisht shtetin e Palestinës dhe presioni ndaj izraelit është shtuar.
Por megjithatë, gjatë javëve të fundit, ushtria izraelite i ka intensifikuar edhe më shumë sulmet në rripin e gazës duke mos kursyer as objektet ku strehohen mijëra palestinezë të zhvendosur nga banesat e tyre.
Sipas një raporti të publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara këtë të hënë ka rezultuar se 55% e objekteve në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht që prej nisjes së luftës në tetor. Vlerësimi bazohet në pamjet satelitore të regjistruara në muajin maj, krahasuar me ato të së njëjtës periudhë vitin e kaluar. /vizionplus.tv