Opozita protestë para bashkisë, kërkon largimin e Erion Veliajt, këshilltarët përplasen me policinë

5 months ago 32
Reklamë

Qindra mbështetës të opozitës protestuan para bashkisë së Tiranës, duke kërkuar dorëheqjen e Erion Veliajt pas arrestimit të disa drejtorëve të kësaj bashkie me akuzën e korrupsionit. Protestuesit qëlluan me vezë e mollë godinën e bashkisë në shenjë revolte kundër Redi Mollës, një prej drejtorëve të arrestuar pak ditë më parë.

“I bëj thirrje nga këtu Erion Veliajt – arrestohesh apo jo, ky nuk është problemi ynë. Largohu një orë e më parë nga zyra e kryetarit të bashkisë dhe çliro Bashkinë e Tiranës!”, tha Belind Këlliçi.

“Ky nuk është thjesht një kryebashkiak. Ky është një kryebashkiak që synon të jetë nesër kryeministër. Nëse doni që për 13 vite të tjera të keni një Edi Ramë –bis,  por një model të shëmtuar të Edi Ramës, një kopje të shëmtuar të Edi Ramës, atëherë mos reagoni; vazhdoni dhe ky do të jetë modeli që do të predominojë. Por unë jam e bindur që do të jetë e kundërta”, tha Argita Malltezi.

Pjesë e protestës u bënë edhe aleatët e demokratëve, dhe Ilir Meta iu bashkua thirrjes për largimin e Erion Veliajt.

“Në Tiranë dhjetëra familje janë rrugëve dhe Veliaj e ka nxjerrë Nënë Lizën në mes të rrugës, ka nxjerrë edhe nëna me foshnje me gaz nga shtëpitë e tyre, Tirana është avatriçja më e madhe e pastrimit të lekëve nga krimi i organizuar”, tha Ilir Meta.

Gjatë protestës anëtarët e opozitës në Këshillin Bashkiak tentuan të futen në zyrën e protokollit për të depozituar kërkesën për mbledhjen e këshillit për të diskutuar akuzat e prokurorisë së posaçme për korrupsion në bashkinë e Tiranës, por nuk u lejuan të hynin nga forcat e policisë.

“Kush është komandanti këtu? Dua të flas me të. Zoti drejtor, a mund të hyjnë anëtarët e Këshillit? Kërkojmë të bëjmë detyrën tonë! Detyrë që na e ka ngarkuar populli. Çojmë kërkesë zyrtare për mbledhje urgjente!”, tha Alimehmeti.

Protesta, e cila fillimisht u lajmërua nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe më pas u mbështet nga opozita, zgjati rreth 90 minuta dhe ishte paqësore. Me largimin e protestuesve bashkia hapi dyert dhe të zgjedhurit vendorë të opozitës depozituan kërkesën për mbledhje urgjente të këshillit bashkiak.

Një vit më parë Belind Këlliçi, asokohe kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, depozitoi në SPAK një kallëzim penal për kompaninë “5D” nëpërmjet të cilës sipas Këlliçit drejtorët e bashkisë përfitonin tendera publike. Pak ditë më parë, SPAK-u për këtë çështje arrestoi ish-drejtorin e ujësjellësit, ish-drejtorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, dhe një urdhër i dyte arresti u lëshua për Taulant Tushën që ndodhet aktualisht në burg për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Ndërkohë që masa më të lehta sigurie janë dhënë për 4 drejtues dhe ish-drejtues të bashkisë së Tiranës, të gjithë të akuzuar për korrupsion, shkelje të barazisë në tendera apo fshehje të pasurisë.

Read Entire Article