Organizuan trafikun e sasive të mëdha të drogës, SPAK çon për gjykim Gëzim Çelën dhe bashkëpunëtorët e tij

4 months ago 23

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim dosjen kundër “baronit” të drogës Gëzim Çela dhe personave të lidhur me të, konkretisht Arlind Ismajlukaj, Nerim Çela, Armando Mema, Dritan Metaj, Ben Dalipaj, Besnik Brokeri, Alket Deda, Selami Lushkaj, Ksenofon Bodo, Kyrylo Ponomarenko, Kostiantyn Biellon, Armando Papa e Roland Guza.

Të 14-të personat akuzohen për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Lexo edhe :

Related Posts

Gjatë hetimeve është provuar se të pandehurit si pjesë e grupit të strukturuar kriminal drejtuar nga Gëzim Çelaj e Arlind Ismajlukaj, kanë marrë përsipër organizimin dhe trafikimin në sasi të mëdha të lëndëve narkotike, të paktën në dy raste, në ngjarjen e datës 31 Mars 2023, ku në rrugën nacionale Tiranë-Fushë Krujë është sekuestruar një sasi prej 41 kg lëndë narkotike e llojit heroinë, si dhe në ngjarjen e datës 14 Gusht 2023, ku është tentuar që nëpërmjet detit duke përdorur mjete lundruese të trafikohen sasi të mëdha të lëndëve narkotike, i njohur si operacioni policor “Flakë në det”.

Gjatë hetimit, është arritur që për secilin prej të pandehurve të provohet jo vetëm përfshirja e tyre në aktivitetin kriminal, por edhe ndarja e roleve, duke përfshirë organizatorët e veprimtarisë, kultivuesit e lëndës narkotike, magazinuesit, prodhuesit, transportuesit, si dhe drejtuesit e mjeteve lundruese.

Paralelisht me procedimin penal, ndaj të pandehurve dhe personave të lidhur me ta, ka filluar procedimi pasuror.

Në kuadër të procedimit pasuror, me dy vendime të mëparshme Nr. 27 datë 09.10.2023, dhe Nr. 13 datë 17.03.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestrimin e pasurive si më poshtë:

-Subjektin juridik XXXXX sh.p.k., i themeluar më datë 26.10.2022, me administratore dhe ortake të vetme të 100% të kuotave, shtetasen TH., me objekt aktiviteti Bar Restorant, me adresë Lezhë, Laç;

-Pasuria e paluajtshme nr. 1759, Zona kadastrale 1673, objekti ku ushtron aktivitetin shoqëria e lartpërmendur;

-3 Pasuri të paluajtshme me vlerë mbi 400.000 Euro, në pronësi të shtetases M.TH.,

-6 Automjete të markave të ndryshme;

-3 mjete lundruese tip Gomone,

-Shuma monetare: 102.000 (njëqind e dy mijë) Euro, 500 (pesëqind) Paund Britanik, 50 (pesëdhjetë) Franga Zvicerane dhe afërsisht 7.000.000 (shtatë milion) Lekë, shtetasve A. I., G. Ç. dhe N. Ç.

-Subjektin juridik XXXXX sh.p.k., me administrator dhe ortak të vetëm me 100% të kuotave, shtetasin G.G., si dhe të gjitha asetet e saj, si pasuri të paluajtshme, pasuri të luajtshme, llogari bankare etj, duke përfshirë këtu edhe 10 automjete të markave të ndryshme./vizionplus.tv

Read Entire Article