Parlamenti “vulos” pensionet, miratohet marrëveshja me Italinë, përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë

4 months ago 19
Reklamë

Shqipëria përmbylli procesin e miratimit të marrëveshjes me Italinë për pensionet, nga e cila përfitojnë më shumë se 500 mijë shqiptarë të cilët prej vitesh jetojnë e punojnë në vendin fqinj.

Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhe sqaroi se falë kësaj marrëveshje çdo qytetar shqiptar mund të bashkojë periudhat që ka punuar në vendin tonë dhe në Itali për të përfituar pensionin e pleqërisë.

“Marrëveshja garanton që asnjë qytetar të mos humbasë asnjë ditë kontribute pavarësisht prej vendit ku ka punuar duke mundësuar krijimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet”, tha Gonxhe.

Marrëveshja për njohjen e pensioneve me Italinë është një prej akteve të rralla për të cilat të gjithë deputetët pavarësisht partive janë dakord.

“Kjo marrëveshje bashkon palët politike”, tha Tabaku.

Por përtej këtij momenti konsensusi, mazhoranca e opozita kanë debatuar për nivelin e ulët të pensioneve në Shqipëri. Sipas opozitës reforma e pensioneve e miratuar nga qeveria Rama ka dështuar dhe shumica e pensionistëve ndodhen në pragun e varfërisë.

“Të dhënat e INSTAT dhe EUROSTAT theksojnë se 85% e pensionistëve kryesisht në fshat i kanë të ardhurat e tyre nga pensioni më të ulëta se minimum jetik”, tha Tabaku.

Por ministri Gonxhe e cilësoi skemën e pensioneve të suksesshme, edhe pse pranoi që për shkak të sfidave të reja qeveria ka nisur punë për ndryshimin e saj.

“Pensioni sot është produkt i drejtpërdrejtë i kontributeve të paguara dhe jo i tavaneve administrative. Ndryshimet e faktorëve demografike, ekonomike e sociale sigurisht që kane ndikim ne skemën e pensioneve. Njerëzit fatmirësisht po jetojnë më gjatë, c ka kërkon më shumë financime për të paguar pensionin. Lindjet si në të gjitha vendet e zhvilluara kanë rënë. Lëvizja e lirë e punëtorëve krijon probleme me numrin e kontribuuesve. Në bashkëpunim më bankën botërore po bëjmë një studim për të parë se ku duhet të ndërhyhet në skemë”, tha Gonxhe.

Aktualisht pensioni minimal në fshat është 11 mijë lekë dhe në qytet është 17 mijë lekë dhe ky nivel i ulët  është prej kohësh në qendër të betejës politike të opozitës./vizionplus.tv

Read Entire Article