Pas rritjes së pagave në administratë, të gjithë pensionistët janë në pritje të indeksimit të pensioneve. Qeveria ende nuk ka njoftuar se kur do të ndodhë, por pritshmëritë janë gjatë vjeshtës, kohë kur pritet të marrë formë edhe skema e re e pensioneve për të cilën po negociohet me Bankën Botërore.
“Nuk duhet të ngatërrojmë indeksimin, i cili nuk është rritje si dhe bonusin e fundit vitit. Këto janë parashikuar në ligjin e buxhetit. Ajo që është si pritshmëri është rritja e pensioneve. Qeveria dhe ministria po detajon një skemë të re, që në fokus do të jenë pensionet e ulëta. Sikundër u rrit paga minimale, fokusi do të jetë rritja e pensionit minimal”, tha deputetja e PS Pranvera Resulaj.
Por pak kohë më parë ministri premtoi se do të ketë një paketë shtesë për shtresat në nevojë. Kur pritet të konkretizohet?
“Ecuria e mbledhjes së të ardhurave duket e kënaqshme. Turizmit pritet të japë një hov edhe më shumë në këtë drejtim. Në përfundim të sezonit turistik do të shihen treguesit e buxhetit për të vendosur masën e paketës mbështetëse. Shifrat janë pozitive ndaj dhe paketa do të jetë e kënaqshme”, sqaroi Resulaj.
Vizion Plus ka mësuar se në fokus të negociatave për skemën e re të pensioneve janë pensionet minimale. Ideja është që të mos ketë pension nën 15.000 mijë lekë në muaj, por kjo mbetet për tu konkretizuar brenda vitit duke bërë dhe një diferencim të pensioneve në fshat dhe qytet, si dhe të rezidentëve brenda dhe jashtë vendit, ku prioritet do të kenë ata që jetojnë në Shqipëri. /vizionplus.tv