Pas sulmit islamik me thikë në Solingen të një siriani që duhej të largohej nga Gjermania, qeveria federale vendosi të shtrëngojë ndjeshëm politikën e migracionit dhe të sigurisë.
Për diskutim janë paraqitur propozime të shumta. Por CDU-ja dhe CSU-ja, të cilat përbëjnë grupin më të madh parlamentar të opozitës në Bundestag, nuk janë të kënaqura me planet e SPD-së, të të Gjelbërve dhe të FDP-së. Ata kërkojnë kthimin mbrapsht të personave ilegalë që në kufi dhe e vënë në pikëpyetje ligjin për azilin.
A duhet një politikë krejt e ndryshme për azilin?
Mosmarrëveshjet se cila është rruga e drejtë që duhet ndjekur në këtë lëmi prek ndjeshëm nervin e qytetarëve. Në sondazhin e zhvilluar nga grupi i mediave publike gjermane ARD , 77 për qind e gjermanëve me të drejtë vote iu përgjigjën me “Po” pyetjes: “A na duhet apo nuk na duhet një politikë thelbësisht e ndryshme për azilin dhe refugjatëtnë mënyrë në Gjermani të vijnë më pak vetë?”.
Kontrolle të vazhdueshme në kufi
Sulmi në Solingen ringjalli edhe debatin për sigurinë e brendshme. 44 për qind e qytetarëve gjermanë thanë se aktualisht ndihen të pasigurt në hapësirat publike. Shtatë vjet më parë, përqindja e njerëzve që ndiheshin të pasigurt në hapësirat publike, në rrugë dhe në transportin publik ishte vetëm 22 për qind.
Votuesit e të Gjelbërve dhe Social Demokratëve padyshim ndihen shumë më të sigurt në Gjermani sesa votuesit e partive ekstreme.
Krahasuar me sondazhin e zhvilluar në prill të këtij, në sondazhin aktual ka një rritje prej 22 përqindje të numrit të qytetarëve për të cilët çështja e refugjatëve dhe e imigrimit është çështja më e rëndësishme politike. Të shqetësuar për këtë çështje janë 48 për qind e qytetarëve gjermanë. Me shumë distancë vijojnë shqetësimet për çështje të tilla si ekonomia (20%), padrejtësia sociale (12%) dhe ndryshimet klimatike (12%)./DW