Opozita do të vazhdojë të pengojë zhvillimin normal të punimeve të Parlamentit. Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, ku për herë të parë mungoi lideri i opozitës Sali Berisha, deputetët ranë dakord të vazhdojnë mosbindjen civile.
“Absolutisht ai është parlamenti narkotrafikantëve e nuk është parlamenti shqiptarëve”, tha Noka
Kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi sqaroi arsyet pse deputetët e opozitës do të vazhdojnë të bllokojnë Kuvendin, duke theksuar se ligji i ri për komisionet hetimore është i papranueshëm.
Bardhi e cilësoi të papranueshëm edhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për reformën zgjedhore duke theksuar se reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale.
“Qëllimi i Edi Ramës është ta trajtojë reformën si mall që shitet në treg përmes trafikimit të votës opozitare”, u shpreh Bardhi.
Gazment Bardhi paralajmëroi Lulzim Bashën të mos bashkojë votat me shefin e qeverisë Rama për të kaluar këtë reformë.
“Kush mendon qe do te sillet njelloj si kerperatat e 2020 nuk perfaqeson popullin opozitar dhe do te marre pergjigje”, tha ai.
Bardhi iu kundërpërgjigj edhe akuzave të Lulzim Bashës se aksioni me tymuese i shërben mazhorancës socialiste.
“Unë nuk di që përballjet me qeverinë bëhen nga divani i shtëpisë”, përfundoi Gazment Bardhi.
Ndërkaq sot grupi parlamentar demokrat ka vendosur të çojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për ndertimin e portit të jahteve në Durrës dhe ligjin për profesionet e lira./vizionplus.tv