PD: Me Ramën duhet vetëm forca! Paloka: Ose sakrifikojmë ose durojmë diktaturën

2 months ago 27

Partia Demokratike dhe opozita do të nisë protestat për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që të përgatisë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryetari i Këshillit Kombëtar Edi Paloka ka deklaruar se opozita duhet të përgatitet për çdo sakrificë për të fituar qeverinë teknike, pasi zgjedhje të lira me Edi Ramën kryeministër sipas tij nuk mund të ketë.

“Me Ramën nuk mund të ketë as dialog, as marrëveshje, qytetari e këto të tjerat janë vite dritë larg nga qenia e Ramës. Me Ramën ka vetëm një mënyrë, me forcë. Ose i marrim me forcë të drejtat tona, ose ndryshe është kot të kemi iluzionin që duke ndryshuar kode apo dike krijuar kushte të tjera anësore, do të arrijmë të kemi zgjedhje të lira”, deklaroi Paloka.

Paloka beson se aksioni i opozitës duhet të radikalizohet për të garantuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Dhe sipas Palokës PD nuk mund të vazhdojë më me protesta të qeta si ato që ka zhvilluar deri tani që gjithsesi kanë pasur vlerën e tyre.

“Ama nuk janë këto protestat me të cilat ne mund të arrijmë këtë qëllim që kemi, duhet të radikalizohen. Mbase nuk do të jetë një situatë, edhe unë kam familje këtu, kam fëmijët e mi këtu, por ose do të pranojmë diktaturën siç e pranuam për 50 vite, ose do të duhet të sakrifikojmë të gjithë që ky mostër që drejton sot qeverinë të iki”, u shpreh Paloka.

Të mërkurën PD do të mbledhë kryesinë dhe të premten Këshillin Kombëtar për të përcaktuar rrugën, ku do të ecë opozita deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Tashmë nuk ka dilema që opozita do të dalë në rrugë e do të shfrytëzojë protestat si mjet për të arritur krijimin e qeverisë teknike.

Ajo që mbetet për tu qartësuar është forma që do të kenë këto protesta; do të rrethohet kryeministria apo do të bllokohen rrugët kombëtare, apo do të bllokohet e gjithë Tirana.

Përgjatë 11 viteve opozitë, Partia Demokratike ka organizuar me qindra protesta, e tashmë mbetet për tu parë se çfarë forme revolte do të përdorë për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

Read Entire Article