Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në prezantimin e planit për Motivimin e Administratës Publike, pjesë e sfidës së Shqipërisë 2030 për anëtarësimin në BE dhe rritjes cilësore të aftësive të shtetit shqiptar në shërbim të interesave të vendit e të qytetarëve.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se falë digjitalizimit tashmë 95% e shërbimeve të administratës publike janë online, duke shmangur në këtë mënyrë pritjen me orë të tëra jashtë dyerve të sporteleve fizike.
Rama tha se ato pak procese që kryhen në mënyrë fizike janë marrja e pasaportës si edhe procesi i martesës. Sakaq kryeministri la të hapur mundësinë që edhe procesi i martesës të kryhet në një të ardhme online.
Edi Rama: 95% e shërbimeve sot janë online. Masivisht shërbimet jepen online. Ne nuk kemi më sportele përveç atyre pak sporteleve që janë të pamundur të mbyllen, për shembull kur do marrësh pasaportën e do vësh shenjat e gishtërinjve, apo kur martohesh, nuk është realizuar akoma një skemë martese online, do vijë me siguri dhe disa pak procese tjera. Faktikisht sot nuk ka më adresa fizike që të presësh në radhë./vizionplus.tv/