Projekt-ligji rus vë në shënjestër pronat e njerëzve që shpërndajnë “lajme të rreme” për ushtrinë

8 months ago 13

Presidenti rus Vladimir Putin pritet të nënshkruajë një projekt-ligj që do t’i mundësonte qeverisë të konfiskojë pronat e personave që i dënon për shpërndarjen e qëllimshme të lajmeve të rreme për ushtrinë e Rusisë.

Kryetari i Dumës ruse thotë se ligji do të dënojë “tradhtarët” që jetojnë jashtë vendit e marrin qera nga pronat e tyre në Rusi.

“Ky ligj është kundër tradhtarëve. Kundër atyre që pështyjnë mbi ushtarët tanë, që kanë tradhtuar atdheun e tyre, të cilët i dërgojnë para shtetit që po lufton me ne, ose që janë jashtë dhe përfitojnë nga qeraja e pronës së tyre ruse!”

Shkelje të tjera, siç janë mosrespektimi i urdhrit, ikja nga ushtria, thirrja për sanksione ndaj Rusisë dhe pjesëmarrja në veprimtari të një organizate të padëshiruar, po ashtu mund të dënohet me konfiskim të pronave.

Sipas udhëheqësit opozitar rus Dmitry Gudkov, ligji i ri mund të interpretohet si të dëshirojë qeveria.

“Kanë miratuar një ligji shumë të gjerë që mund ta interpretojnë si të duan. U mundëson autoriteteve të marrin lloj-lloj vendimesh për konfiskimin e pronave. Kjo po bëhet për t’u siguruar që njerëzit të kenë frikë të mblidhen para ambasadave, të kenë frikë të marrin pjesë në tubime, të votojnë për këdo tjetër pëveç Putinit, apo të marrin pjesë në protesta kundër sundimit të Putinit”, thotë Gudkov.

Një ish-anëtar i Dumës ruse, zoti Gudkov tani është person i kërkuar në Rusi për shkak se ka kritikuar sulmin rus në Ukrainë. Zoti Gudkov, i cili nuk jeton në Rusi prej disa vitesh, thotë se nuk ka më prona në Rusi. Por kritikë të tjerë të qeverisë nuk e kanë këtë fat.

“Kur filloi lufta, shumë njerëz braktisën vendin – gazetarë, aktivistë politikë, figura publike, të famshëm që nuk pajtohen me autoritetet, që kundërshtojnë luftën. Dhe është e qartë që shumë prej tyre nuk patën kohë ta shesin pronën e tyre në Rusi – dhe ata janë ata që po vendosen në shënjestër” , thotë ai.

Sipas medias së pavarur ruse për të drejta të njeriut “OVD-Info”, tashmë janë hapur çështje ndaj 830 njerëzve për shkak të qëndrimit të tyre kundër luftës në Rusi. Rreth një e treta e këtyre rasteve përfshijnë akuza për shpërndarje të informacionit të falsifikuar për ushtrinë.

Sipas drejtorit të lartë të Qendrës për Euro Azi të Këshillit Atlantik John Herbst, kjo masë është vetëm një përpjekje për të fshehur të vërtetën për krimet e luftës së Rusisë.

“Qeveria ruse dëshiron të krijojë një mit për veprimet e ushtrisë ruse në Ukrainë. Duan të mohojnë krimet e luftës. Duan t’i fshehin dështimet. Dhe kështu, duan t’i dënojnë njerëzit që thyejnë këto mite.

Sipas ekspertit për Rusinë, Andrew Wood, është e rëndësishme për autoritetet që të krijojnë një iluzion të përkrahjes së gjerë për zotin Putin.

“Mendimi në Rusi për arritjet e padobishme të luftës dhe arsyet e fillimit të saj, ankesat e njerëzve që kanë të afërm apo bashkëshortë në vijë të frontit për atë që po bëhet… ka shënuar rritje! Dhe mendoj se vet Putini është pak më i vetëdijshëm për faktin se kontrolli i tij ndaj popullit rus nuk është më aq i fuqishëm siç ishte”, thotë ai.

Ekspertët Herbst dhe Wood thotë se konfiskimi në masë i pronave ka pak gjasa të ndodhë, por presin që qeveria të përndjekë individët që kritikojnë luftën./voa

Read Entire Article