Opozita dhe aleanca për mbrojtjen e teatrit zhvilluan protestën e 14 para bashkisë së Tiranës për të kërkuar largimin e Erion Veliajt.
Protestuesit qëlluan me vezë godinën si dhe dogjën goma në shenjë revolte ndërkohë që nuk munguan momentet e tensionit.
“Shko kap Veliaj mos i bjer qytetarëve. O ordiner, o ordiner mos i prek qytetarët. O bandit, terrorist, kamikazë i Erion Veliajt, i Edi Ramës.”
Drejtuesi politik i PD për Tiranën Belind Këlliçi akuzoi kryebashkiakun Veliaj për korrupsion me paratë e taksapaguesve
“Kjo është një skenë krimi, ku çdo ditë, kreu i bandës 5D dhe pronari faktik i inceneratorit të Tiranës shkon në zyrë për të vjedhur taksat tona”, tha Këlliçi.
Sipas Këlliçit, protesta e opozitës do te vazhdoje deri sa te zbardhet e vërteta për inceneratorin e Tiranës dhe dosjen 5 D.
“Erion Veliaj, sot që ne flasim, në orën 4 të mëngjesit, e kanë parë qytetarët në avion duke u larguar nga Shqipëria. Pse?! Sepse ka një debat dhe një luftë të egër në ditët e fundit, midis SPAK-ut, Erion Veliajt dhe Edi Ramës. Nga njëra anë është Edi Rama që ka dhënë urdhër të bllokohet pasaporta e Erion Veliaj, për të mos e spiunuar Erion Veliaj, Edi Ramën, nëpër kancelaritë evropiane”, tha Këlliçi.
Këlliçi ka ftuar qytetarët t’i bashkohen protestës së opozitës të premten e ardhshme para bashkisë së Tiranës, dhe në 11 korrik para selisë së kryeministrisë./vizionplus.tv