Policica e Tiranës ka nisur hetimet për 12 persona pas protestës së dhunshme të zhvilluar ditën e djeshme para bashkisë së Tiranës.
Mes tyre është edhe Sali Lusha, Klevis Balliu dhe Adriana Kalaja.
“Në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, procedoi në gjendje të lirë shtetasit:
– D. B., 27 vjeç, R. D., 19 vjeç, A. P., 46 vjeç, K. B., 21 vjeç, S. L., 68 vjeç, S. B., 48 vjeç, G. S., 53 vjeç, B. Xh., 34 vjeç, E. K., 22 vjeç, T. B., 39 vjeç, K. B., 34 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”;
– A. K., 59 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”, thuhet në njoftim.
Ditën e djeshme para bashkisë së Tiranës u zhvillua protesta e 7-të e qytetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës së bashku me “Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit.
Me pankarta në duar, ata kërkuan largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, pas skandalit me dosjen “5D”, ku në pranga ranë disa drejtorë të Bashkisë së Tiranës dhe janë nën hetim dhe disa të tjerë.
Kjo nuk është hera e parë që qytetarët janë mbledhur para këtij institucioni. Kujtojmë që protesta e javës së kaluar para ambienteve të Bashkisë së Tiranës agravoi në përplasje fizike./vizionplus.tv