Protestë me goma dhe vezë, opozita nuk i ndahet Veliajt, përgatitet për tubimin e 11 korrikut

2 months ago 23
Reklamë

Opozita së bashku me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit protestuan sërish para bashkisë së Tiranës duke kërkuar dorëheqjen e Erion Veliajt.

Në shenje revolte kundër rasteve korruptive që po hetohen tashmë nga SPAK, protestuesit qëlluan me vezë godinën e bashkisë si dhe dogjën goma duke paralajmeruar se nuk do të tërhiqen derisa Veliaj të largohet nga drejtimi i kryeqytetit.

Belind Këlliçi theksoi se protestat e opozitës nuk do të ndalen deri në largimin nga pushteti të mazhorancës socialiste.

“Çfarë duhet të ndodhë më me këtë kryetar bashkie që ky të japë dorëheqjen?! Kur shtabi i tij elektoral i 14 majit sot një pjesë është në burg, një pjesë është në arrati, një pjesë pritet shumë shpejt që të shkojë në qeli. Edi Ramës vetë çfarë tjetër duhet të ndodhë që të japë dorëheqjen e të largohet, kur i gjithë kabineti i viti 2013 me të cilin erdhi në qeveri i ka rënë në burg, kur edhe personi që ishte në krye të Programit të PS, Ilir Beqja, tashmë i ka rënë në burg?!”, tha Këlliçi.

Opozita ka vendosur që protesten e ardhshme ta zhvillojë para kryeministrisë e të kërkojë largimin e shefit të qeverisë Edi Rama. Për organizimin e ketij tubimi të gjithë aleatet u mblodhen në mesditë në selinë e PD  dhe diskutuan rreth detajeve të organizimit.

“Është koha tani, o sot o kurrë, të protestojmë kundër narkoshtetit, kundër nje regjimi që e ka asgjësuar votën e lirë”, tha Noka.

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka vuri në dukje se pavarësisht diferencave, e gjithë opozita duhet të punojë për protestën e 11 korrikut.

“Ne kemi plot gjëra që na ndajnë, por për një gjë biem dakord për situatën e rëndë ekonomike. Ne na bashkon beteja kundër Ramës”, tha Duka.

Protesta e fundit që opozita zhvilloi kundër qeverisë Rama u zhvillua më 20 shkurt të këtij viti./vizionplus.tv

Read Entire Article