Qytete të humbura mijëra-vjeçare zbulohen nën pyjet e Amazonës nga teknologjia (fotot)

8 months ago 37
Reklamë

Një rrjet qytetesh të sofistikuara, të fshehur prej mijëra vitesh nga pyjet e dendura të Amazonës, janë zbuluar së fundmi duke ngritur dyshime mbi narrativën zyrtare apo botëkuptimin e studiuesve për civilizimet e vjetra.

Zbulimi i pabesueshëm në Upano, në lindje të Ekuadorit, tregon për qytetet që strehonin ndoshta qindra mijëra njerëz, të lidhura nga një rrjet i pabesueshëm rrugësh e kanalesh ujore.

Studiuesit francezë të drejtuar nga Profesor Stephen Rostain, përdorën një teknikë rrezesh lazer të njohur si LiDAR për të zbuluar hartën e vendbanimeve që besohet se janë rreth 2,500 vjeçare. Ato ekzistonin në të njëjtën kohë me perandorinë romake dhe rezultojnë të paktën 1,000 vjet më të vjetra sesa çdo vendbanim kompleks i njohur më parë në Amazona.

“Ato janë më të vjetra se çdo vendbanim që njohim në Amazonë,’ tha Rostain, i qendrës kombëtare shkencore të Francës.

Duke folur për rrjetin BBC, ai shtonte: “Ne kemi në përgjithsi një pikëpamje eurocentrike për civilizimet, pra duke marrë si model vetëm pikënisjen evropiane, por kjo tregon se duhet të pranojmë dhe ide të tjera mbi atë që është në të vërtetë kultura e civilizimi i njohur”.

Bashkëautori Dr Antoine Dorison shtonte: “Kjo ndryshon mënyrën se si e shohim kulturën në Amazonë, pasi duket qartë që nuk janë vetëm grupe të vogla gjuetarësh primitivë në kasolle balte. Por në fakt këtu ka pasur njerëz që jetonin në qytete dhe shoqëri të komplikuara urbane”.

Për studimin e tyre studiuesit fluturuan mbi rreth 116 milje katrorë, duke skanuar sipërfaqen me teknologjinë LiDAR ku identifikuan të paktën 15 vendbanime masive.

Ata zbuluan rreth 6,000 platforma katrore të organizuara në grupe nga tre deri në gjashtë së bashku, shpeshherë me një shesh kryesor në qytetet e rajonit. Studiuesit besojnë se ato ishin një përzierje banesash dhe ndërtesash për qëllime ceremoniale.

Upano, Ekuador

Ndryshe nga popullsitë Inkase apo Maja me shoqëritë komplekse të Amerikës së Jugut, vendbanimet e Amazonës nuk ishin të ndërtuara me gur sipas studiuesve, prandaj prej tyre kanë mbetur vetëm format e platformave në faqet kodrinore.

Por më impresionues është sistemi i kanaleve e rrugëve të tyre mes pyjeve tropikale që lidh qytetet.

Rrugët më të mëdha ishin 10m të gjera dhe arrinin deri në 15 km. Ato ishin të drejta dhe në nivel, jo duke ndjekur terrenin.

Dr Antoine tha se rrugët impresionuese kishin ‘një kuptim të fuqishëm’, ndoshta të lidhur me besimet e tyre fetare.

Profesori thotë se zbulimi i ka dhënë të drejtë prej kundërshtimeve që ka hasur nga kolegët që ishin të bindur se nuk kishte civilizim të lashtë në Amazonë, por kjo nuk e ndaloi atë në bindjen e tij.

“Unë jam këmbëngulës, dhe ia dola mbanë, jam i lumtur që kam zbuluar luginën e qyteteve të humbura”, shtoi ai i kënaqur, shkruan rrjeti britanik Metro.co.uk.

Studimi është publikuar fillimisht në revistën shkencore ‘Science’.

Studiuesit përdorën një teknikë rrezesh lazer të njohur si LiDAR për të zbuluar hartën e vendbanimeve

Top Channel

Read Entire Article