Raketat Javelin për Kosovën, Osmano: Besoj se Kongresi do ta mbështesë shitjen ndaj vendit tonë

8 months ago 30
Reklamë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka besim të plotë që Kongresi amerikan do ta mbështesë Kosovën në kërkesën e saj për të blerë raketa kundërtanke, Javelin.

Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi të enjten për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

Bëhet fjalë për 246 raketa kundërtanke të këtij lloji, që prodhohen nga SHBA-ja, sipas një njoftimi të Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri.

“Kam besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme ndaj vendit më proamerikan në tokë, si një akt që do të rrisë sigurinë në Kosovë, në rajon dhe në kontinentin evropian”, shkroi Osmani në platformën X.

Shitja e këtyre armëve, sipas DASH-it, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

SHBA-ja, sipas DASH-it, vazhdon të mbështesë Kosovën në transformimin “transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n, që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”.

“Departamenti amerikan i Shtetit shpesh ka vendosur të miratojë shitjen e huaja ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes ës Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës”, tha DASH-i të enjten.

Read Entire Article