“Reformë e thellë në arsim”, Berisha: Do rrisim buxhetin dhe pagat e mësuesve dhe pedagogëve

3 months ago 38
Reklamë

Demokratët e drejtuar nga Sali Berisha kanë nisur përgatitjet për betejën zgjedhore te vitit të ardhshëm dhe sot lideri i opozitës prezantoi pikat kyçe të programit për sektorin e arsimit.

Nga banesa e tij ku ndodhet i izoluar prej pothuaj 5  muajsh, Berisha i përcolli ekipit që po harton këtë program mesazhin se vendi ka nevojë për një reformë të thellë për të shpëtuar arsimin në Shqipëri

“Ne u kemi deklaruar shqiptarëve se për ne gjithçka do të fillojë me investimin tek qytetari. Le ta shprehim sot se i pari midis të parëve në këtë kontekst do të jetë shkollari, nxënësi, studenti, mësuesi, pedagogu i shkollave, universiteteve, arsimit profesional në Shqipëri”, tha Berisha.

Berisha premtoi mbështetje financiare për kërkimin shkencor në universitete duke ndryshuar modelin e ndërtuar nga socialistët

“Modeli Rama-Gjinushi, është modeli i falsitetit, i gënjeshtrës, i pseudokërkimit. Është model i vjetër sa ç’është regjimi i Enver Hoxhës, por është i shartuar me oreksin korruptiv të pangopur të Skënder Gjinushit”, u shpreh ai.

Pjese themelore e programit të demokratëve është rritja e buxhetit për arsimin dhe rritja e pagave për mësuesit e pedagogët.

“5 % e buxhetit është zotimi im solemn, dyfishim dhe objekt drejt trefishimit të rrogave të arsimtarëve. Në mandatin e parë nuk do të ketë rrogë nën 1mijë e 300 euro në arsimin shqiptar. Nuk do të ketë rrogë nën 2 mijë euro në universitetet e vendit”, tha Berisha.

Çdo parti në opozitë e ka premtuar rritjen e buxhetit për arsimin në 5% duke nisur nga Partia Socialiste në vitin 2013 te demokratët; por pavarësisht premtimeve sot buxheti për arsimin është 3.3%  I prodhimit të brendshëm bruto. /vizionplus.tv

Read Entire Article