Kinemaja “Maks Velo” i është rikthyer qytetarëve të Laprakës si një hapësirë e re që pulson art dhe kulturë për komunitetin e zonës. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nënvizoi se investime të kësaj natyre do të shtrihen edhe në zonat periferike të kryeqytetit.
“Pritshmëria ime është që këtu të kemi një garë të shëndetshme me kinema “Agimin” dhe të përpilojmë një listë me aktivitete. Qendra e një qyteti është atje ku ka jetë. Po ka jetë këtu, atëherë kjo është qendra e Tiranës dhe nëse do e mbushim me jetë kinemanë, jam i bindur se aktivitetet e sheshit “Skënderbej” do të duken periferike, krahasuar me cilësinë e produkteve që mund të shohim e shijojmë këtu”, tha Veliaj.
Vitin e ardhshëm Tirana do të jetë kryeqyteti mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut e ky titull sipas Veliaj-t, do të shërbejë si një shtysë që, edhe hapësira të tjera të rikuperohen.
“Vjet kemi pasur 17 filma të Netflix, të gjuhëve të ndryshme, që ka xhiruar të paktën një fragment filmi në Tiranë. Krejt papritur po shikojmë se arti prodhoka edhe ekonomi. Ka shumë njerëz që thonë: “Ore, ne kemi halle të tjera, na duhet pak asfalt aty”. Kur kemi ardhur këtu për herë të parë, për asfalt s’bëhej fjalë, por sot diskutojmë sa pallate na kanë ngelur pa veshur me kapotë, ndërsa kinemaja e re është gati të pulsojë jetë për komunitetin”, u shpreh ai.
Kinemaja publike “Maks Velo”, hap dyert pas një periudhe të gjatë mosfunksionimi gati 30 vjeçare. Aktiviteti i parë i saj është Festivali i video Arkivës Shqiptare i cili do të vijojë deri më 17 Maj, duke sjellë përmes video-sh një panoramë të pasur të evolucionit të Shqipërisë në më shumë se 100 vite. /vizionplus.tv