Presidenti rus Vladimir Putin ka propozuar rregulla të reja për përdorimin e armëve bërthamore.
Ai ka deklaruar se një sulm konvencional kundër Moskës nga ndonjë vend i cili mbështetet nga një fuqi bërthamore, do të cilësohet si sulm i përbashkët.
Kjo deklaratë e Putin erdhi ndërsa po mbante një takim me Këshillin e Sigurimit të Rusisë.
“Propozohet që agresioni kundër Rusisë nga çdo shtet jo bërthamor, por me pjesëmarrjen ose mbështetjen e një shteti bërthamor, të konsiderohet si sulm i tyre i përbashkët ndaj Federatës Ruse. Kushtet për kalimin e Rusisë në përdorimin e armëve bërthamore janë gjithashtu të qarta. Moska do ta konsideronte një veprim të tillë nëse zbulonte fillimin e një lëshimi masiv të raketave, avionëve ose dronëve kundër saj”, tha Putin.
Presidenti rus theksoi se vendi i tij rezervon të drejtën për të përdorur armë bërthamore edhe nëse ndodh një sulm ndaj Bjellorusisë fqinje, aleatit të saj në luftën kundër Ukrainës.
Ndryshimet në doktrinën bërthamore të Rusisë u bënë në një kohë kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po kërkon leje nga aleatët e tij në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë për t’i përdorur armët me rreze të gjatë veprimi për të goditur në thellësi të tokës ruse./vizionplus.tv