Rusia po ndërton centralin e parë bërthamor të Azisë Qendrore në Uzbekistan

5 months ago 14

Rusia dhe Uzbekistani e kanë nënshkruar një marrëveshje, sipas të cilës, Moska do ta ndërtojë një central të vogël bërthamor në vendin e Azisë Qendrore.

Kjo marrëveshje ishte në mesin e disa marrëveshjeve të nënshkruara më 27 maj në Tashkent mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe homologut të tij uzbek, Shavkat Mirziyoev.

Lideri uzbek e lartësoi projektin si “jetik” në një komunikatë të publikuar nga zyra e tij për media pas bisedimeve me Putinin, në të cilët u theksua se Uzbekistani i ka “rezervat e veta të mëdha të uraniumit”.

Ndërkohë, Putini u zotua se do të bëjë “gjithçka për të punuar në mënyrë efikase” për tregun e energjisë bërthamore të Uzbekistanit.

Nëse kjo marrëveshje miratohet, centrali bërthamor do të jetë i pari në Azinë Qendrore, dhe do ta thellojë edhe më shumë ndikimin rus në rajon.

Putini theksoi se Rusia do t’i derdhë 400 milionë dollarë në një fond të përbashkët investimi 500 milionë dollarësh për t’i financuar projektet në Uzbekistan.

Mirziyoev tha gjithashtu se Tashkenti është i interesuar të blejë më shumë naftë dhe gaz nga Rusia.

Presidenti rus u zotua se do t’i rrisë dërgesat me gazë në Uzbekistan.

Putini dhe Mirziyoev biseduan edhe për emigrimin, me liderin rus që e siguroi presidentin uzbek se qeveria e tij do të garantojë kushte të mira pune dhe do të ofrojë mbrojtje sociale për punëtorë emigrantë nga Uzbekistani.

Putini mbërriti në Tashkent më 26 maj dhe u mirëprit nga Mirziyoev në aeroport.

Hetimet ndërkombëtare kanë gjetur se Uzbekistani është njëra prej pikave kryesore nga ku futen brenda Rusisë mallrat e sanksionuara./rel

Read Entire Article