Nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, kanë nisur sot punimet e Samitit të grave afgane, takimi më i madh i tre viteve të fundit të grave dhe vajzave aktiviste të të drejtave të njeriut nga Afganistani.
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani tha se mbajtja e një Samiti të tillë është ngjarje historike, pasi për herë të parë mblidhet një numër kaq i madh i grave afgane.
Strehimi i afganëve në vendin tonë, pasi Afganistani ra në duart e talebanëve, tregon vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të garantuar të drejtat themlerore të tyre, veçanëriaht grave dhe vajzave.
Ministri Hasani: Është një ngjarje historike pasi është hera e parë që shënohet mbledhja e një numri kaq të madh të grave afgane. Që prej ardhjes në pushtet të regjimit taleban ne jemi dëshmitarë të përkeqësimit të situatës në vend si dhe përpjekjeve për të zhbërë arritjet e rëndësishme sa i përket statusit të të drejtave të vajzave. Gjatë dy viteve të fundit talebanët kanë shpallur 70 dekrete dhe udhëzime që godasin të drejtat themelore të grave të vajzave duke i kthyer ato në objekt të diskriminimit. Këto masa vërehen në kufizimet e rënda të vendosura ndaj vajzave. Nën regjimin taleban Afganistani është kthyer në vendin e vetëm në botë ku vajzave dhe grave u ndalohet e drejta për shkollim. Nuk mund të ketë një shoqëri njerëzore të drejtë që nuk respekton të drejtat e grave. Ky regjim ka çuar në përkeqësimin e jetës së grave. Por përballë këtij realiteti të ashpër, gratë afgane vijojnë të tregojnë një qëndresë dhe guxim të jashtëzakonshëm.
Ministri theksoi se ka shumë për të bërë me qëllim lehtësimin e situatës së grave afgane. Hasani theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të zgjerojë mbështetjen e tij dhe të amplifikojë përpjekjet në luftën për respektimin e të drejtave themelore.
Ministri Hasani: Të gjithë ne duhet të intensifikojmë thirrjet për të siguruar që zërat e organizavate të shoqërisë civile së grave dhe mbrojtësve të të drejtave të merren parasysh në organizatat ndërkombëtare dhe më tej. Shqipëria ka qenë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të sjellë paqe në Afganistan. Vendi ynë ka qenë vokal në vlerësimin e guximit dhe forcës së grave afgane të cilat vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre. Strehimi i afganëve dëshmon qartë vendosmërinë e qeverisë shqiptare, për të siguruar çdo afgan me të gjitha mjetet e nevojshme për të gëzuar dinjitet njerëzor dhe siguri të plotë në Shqipëri. Garantimi i të drejtave të grave e vajzave, mbetet prioritet i qeverisë shqiptare. Edhe pse një vend i vogël ne krenohemi që u bëmë pjesë e vendeve që morën përsipër jo vetëm strehimin por dhe rikthimin e dinjitetit për të gjithë afganët që braktisën vendin e tyre. Ne hapëm zemrat tona për një popull fisnik dhe të vuajtur.
Ministri u shpreh i bindur se ngjarja historike e sotme do të vijojë më tej dhe në të ardhmen duke u shndërruar në një gur themeli dhe duke nisur një proces të pakthyeshëm për gratë dhe vajzat afgane./vizionplus.tv