Scholz dhe Macron bien dakord që Ukraina mund të përdorë armë perëndimore për të goditur objektivat ushtarake në Rusi

5 months ago 26

“Ne gjithmonë do të pajtohemi,” siguruan Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron në fund të vizitës zyrtare tre-ditore të presidentit francez, e para e këtij lloji në 24 vjet në Gjermani.

Modernizimi ekonomik i Bashkimit Evropian, politika tregtare dhe mbështetja ushtarake për Ukrainën ishin në qendër të bisedimeve.

Megjithatë, theks i veçantë iu vu rikthimit të imazhit të unitetit dhe forcës së boshtit gjermano-francez.

Kancelari gjerman dhe presidenti francez nuk besojnë se marrëdhëniet e vendeve të tyre janë në krizë.

“Ne gjithmonë do të pajtohemi dhe do të ecim përpara”, tha Emmanuel Macron pas një takimi të kabinetit franko-gjerman mbrëmë në Kalanë Meseberg, pranë Berlinit.

“Ne gjithmonë pajtohemi. Kështu ka qenë në të kaluarën dhe është një parashikim i sigurt për të ardhmen”, tha Olaf Scholz.

Gjatë konferencës për shtyp që pasoi, dy liderët u përpoqën të nxjerrin në pah pikat e identifikimit dhe sinergjisë, duke minimizuar dallimet e tyre.

Në lidhje me mundësinë që Ukraina të sulmojë me armë perëndimore tokën ruse, Macron tha “ne duhet të lejojmë ukrainasit të neutralizojnë bazat ushtarake nga të cilat lëshohen raketa, por jo të sulmojnë objektiva të tjerë në Rusi, veçanërisht instalimet civile”.

Scholz, nga ana e tij, preferoi të mos ishte plotësisht i qartë, por deklaroi se ligjërisht nuk do të kundërshtonte një qasje të tillë.

“Ukraina ka çdo mundësi për këtë, bazuar në ligjin ndërkombëtar”, tha kancelari, duke mohuar raportet se qeveria gjermane donte ta ndalonte këtë me armët që ajo furnizon.

“Deklarata të tilla nuk ka pasur dhe as do të ketë”, theksoi ai.

Përdorimi i armëve që vijnë nga SHBA, Franca dhe Gjermania duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, shtoi ai.

Të dy palët ranë dakord gjithashtu për planet për të përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira ruse në Evropë në favor të Ukrainës.

“Ne duam t’i japim Ukrainës akses në burime financiare shtesë me vlerë miliarda, në mënyrë që ajo të mund të mbrohet dhe të rrisë sigurinë e të gjithë Evropës”, ​​thanë ata.

Të dy krerët shprehën gjithashtu vullnetin e tyre për të zhvilluar së bashku armë precize.

“Ne jemi gati për bashkëpunim afatgjatë”, siguroi Emmanuel Macron. /vizionplus.tv

Read Entire Article