Serbët bllokojnë dy pika kufitare, ministrja e Jashtme e Kosovës: SHBA dhe BE të ndalojnë Vuçiç, para se ai të hyjë në luftë!

1 week ago 23
Reklamë

Dy pika kufitare, që lidhin Kosovën me Serbinë, Bërnjak dhe Merdarë vijojnë të mbeten të mbyllura që prej mbrëmjes së të premtes kur qytetarë dhe disa shoqata serbe bllokuan rrugët pranë kufirit.

Nga ana e territorit të Serbisë, serbët në Jarinë, Bërnjak dhe Merdare u rreshtuan në pikëkalime duke mos lejuar kalimin e udhëtarëve me dokumente të Kosovës.

Pas kësaj, ministri Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se këto pika u mbyllën. Por, drejtori i policisë së veriut sqaroi se mëngjesin e kësaj të shtune qarkullimi në Jarinjë i është kthyer normalitetit.

Situata të premten në mbrëmje u tensionua pasi persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit po ndalonin në mënyrë selektive qytetarët që kalonin tranzit përmes Serbisë.

Ministrja e punëve të jashtme Donika Gërvalla u kërkoi ndërkombëtarëve të ndërhyjnë.

“Ne i bëjmë thirrje BE-së dhe SHBA-së që të kundërshtojnë me vendosmëri hapat e ardhshëm përshkallëzues të Vuçiçit. Ai duhet të ndalet para se të hyjë në luftë. Kosova do ta mbajë kufirin e mbyllur deri sa të garantohet lëvizja e lirë dhe shqiptarët të sigurohen nga skenat më të këqija të kriminelëve serbë të maskuar, që i ndjekin e kërcënojnë sërish”, tha Gërvalla.

Gervalla tha gjithashtu se serbët kishin ndaluar edhe shtetas gjermanë, ndërsa është vënë re prania e personave të maskuar dhe automjeteve me flamuj të serbisë pranë kufirit.

Serbët vendosën bllokadat në shenjë proteste ndaj mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri nga autoritetet kosovare më 30 gusht.

Organizatorët e bllokadave duan që Kosova ta tërheqë policinë nga komunat me shumicë serbë në veri, të lejojë përdorimin e valutës serbe, si dhe ta lejojë punën e komunave paralele. /vizionplus.tv

Read Entire Article