Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian paralajmëruan parlamentin të mos prekë pavarësinë e institucioneve të sistemit të drejtësisë.
Gjatë një takimi të kryetares së kuvendit Elisa Spiropali me drejtuesit e institucioneve të pavarura, përfaqësuesit e ambasadës amerikane dhe delegacionit të Bashkimit Evropian vunë theksin se Reforma në Drejtësi nuk mund të kthehet pas.
“Mbështesim ato iniciativa që ruajnë pavarësinë e gjyqësorit dhe janë gjithëpërfshirëse. Institucionet e pavarura duhet të forcojnë llogaridhënien dhe transparencën. SHBA është e gatshëm të mbështesë institucionet pavarura”, tha Kathryn Hammond, Zv. Shefja e misionit në detyrë, SHBA.
“Për reformën në drejtësi parlamenti mund të luaje një rol kyç për mos kthimin pas të reformave por për të implementuar më tej, në harmoni reformat me të gjitha detyrimet që Shqipëria ka marrë në rrugën e BE-së. Këto reforma shoqërohen nga përpjekja për të parandaluar korrupsionin e krimin e organizuar e krimin në qeveri.”, tha ambasadori i BE, Silvio Gonzato.
Ambasadori i BE përsëriti apelin për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke iu referuar refuzimit të mazhorancës për të çuar në këtë gjykate mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka
“Vendimet e Gjykatës kushtetuese duhet të respektohen siç nxirren nga ajo dhe kjo është thelbësore në një shtet demokratik”, tha Gonzato.
Nga ana e saj kryetarja e kuvendit Elisa Spiropali garantoi se mazhoranca në parlament dhe në komisionet e posaçme që janë ngritur nuk do të ndërhyjnë në pavarësinë e institucioneve, veçanërisht institucioneve të sistemit të drejtësisë./vizionplus.tv