Tetë turistë nga Hollanda janë shpëtuar gjatë mbrëmjes së sotme, pasi kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit të Majës së Murgës.
Njëri prej tyre ishte pickua nga një gjarpër dhe më pas i është dhënë ndihmë mjekësore.
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Pukë, së bashku me Ekipin e zjarrfikësve të Bashkisë Pukë, u nisën në drejtim të zonës për të lokalizuar dhe ndihmuar turistët.
Grupi i Forcave Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, së bashku me një ekip mjekësor, shkuan në ndihmë turistit të lënduar nga pickimi i gjarprit, i cili pas marrjes së ndihmës mjekësore ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.
Pas 5 orë kërkimesh, të gjithë turistët u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore dhe u shoqëruan nga punonjësit e Policisë në destinacionin ku ishin akomoduar.