Shqyrtohet mandati i Vullnet Sinajt, PD: Përfitoi para publike. Deputeti i PS: Akuza qesharake

1 week ago 26
Reklamë

Parlamenti nisi sot shqyrtimin e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj, për të cilin opozita pretendon se ka shkelur Kushtetutën duke përfituar para nga buxheti i shtetit. Në mbledhjen e këshillit të mandateve, kreu i grupit të PD Gazment Bardhi shpjegoi se socialisti Sinaj nëpërmjet rrjetit të tij të supermarketeve ka përfituar para publike, ndaj për këtë arsye atij duhet t’i hiqet mandati i deputetit.

“Ne kemi verifikuar nëpërmjet shkresave zyrtare, në këtë rast Drejtorisë se Thesarit, se deputeti Vullnet Sinaj, nëpërmjet kompanive të tij në vetëm 9 transaksione që ne kemi evidentuar mund të jenë edhe shumë më shumë, ka përfituar nga buxheti i shtetit rreth 36 mijë euro.”

Por vetë deputeti Sinaj shpjegoi se prej momentit që është zgjedhur deputet ai ka hequr dorë nga administrimi i bizneseve të tij, duke sqaruar shifrën që sipas Pd kompanitë e tij kanë marrë nga buxheti i shtetit.

“Nga e gjithë kjo farsë që është mbarsur, 37 mln, është qesharake, 32 mln janë rimbursime të tatim fitimit dhe TVSH nga disa biznese që kanë shkuar në likuiditet”

Deputeti Sinaj sqaroi gjithashtu se një pjesë e shumës që pretendohet nga PD vjen si pasojë e blerjeve të vogla.

Ndërkohë anëtarët e mazhorancës në këshillin e mandateve vunë në dukje se Kushtetuta parashikon që deputeti s’mund të përfitojë para nga buxheti i shtetit dhe opozita nuk paraqiti asnjë fakt që deputeti Sinaj ka përfituar personalisht fonde publike.

Mbledhja e këshillit të mandateve u shty për t’i dhënë kohë deputetit socialist të njihet me pretendimet e opozitës./vizionplus.tv

Read Entire Article