Brenda një kohe të shkurtër pritet të nisë në Shqipëri zbatimi i projektit “Smart City”, për rritjen e sigurisë publike në vend dhe parandalimin e aksidenteve rrugore në akset kryesore kombëtare.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, së bashku me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit ndoqën një prezantim në Ministrinë e Brendshme, nga përfaqësuesit e Emirateve e Bashkuara Arabe të projektit përfundimtar “Smart City”.
Ai do të shtrihet në 20 qytetet kryesore në vend dhe zonat turistike me më shumë vizitorë.
“Ky projekt, zbatimin e të cilit shpresojmë ta fillojmë së shpejti, synon rritjen e sigurisë në komunitetet tona, mbrojtjen jetës dhe të pronës private, monitorimin e trafikut etj. përmes një sistemi gjithëpërfshirës zgjidhjesh teknologjike”, tha ministri gjatë takimit.
Projekti parashikon shtrirjen e kamerave të sigurisë, kamerave për leximin automatik të targave të automjeteve, të ndërlidhura mes tyre, nëpërmjet të cilave do të realizohet monitorimi dhe identifikimi në kohë reale i mjeteve që qarkullojnë në akset rrugore të cilësuara me interes prioritar për Policinë si dhe në Pikat Kufitare.