Sot provimi i parë i Maturës Shtetërore, 28 mijë maturantë testojnë njohuritë në gjuhën e huaj

5 months ago 23

Maturantët këtë të hënë do të zhvillojnë provimin e parë të maturës shtetërore 2024.

Sot 28 mijë maturantë në të gjithë Shqipërinë do të testojnë njohuritë e tyre në provimin e gjuhës së huaj.

Një ditë më parë ministrja e Arsimit, Ministrja Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me grupin e monitoruesve ku përcaktoi detyrat dhe penalizimet nëse rezultojnë shkelje.

“Kemi një rregullore të Maturës që duhet ta zbatojmë të tërë, në nivel kombëtar, dhe shpresoj që të mos kemi asnjë parregullsi në raport me procesin. Por, nuk do të ketë tolerancë për rastet kur do të shkelet rregullorja”, tha Manastirliu.

Provimi do të zhvillohet në 144 qendra në të gjithë vendin. Do të jenë rreth 2900 mësues dhe punonjës të arsimit që do të jenë pjesë e monitorimit dhe administrimit të provimeve.

Për të siguruar një proces bazuar në rregulloren e maturës shtetërore do të jenë 1900 administratorë provimi që monitorojnë grupe prej 15-20 nxënësish, 200 përgjegjës të administrimit, 250 administratorë të sekretimit, 290 përgjegjës për strukturat shkollore dhe mësues ndihmës për mbështetjen e nxënësve me aftësi të veçanta.

Pas gjuhës së huaj maturantët do t’i nënshtrohen provimeve të tjera, gjuhë shqipe dhe letërsi (10 Qershor) matematikë (18 Qershor 2024) provim me zgjedhje (24 Qershor 2024)./vizionplus.tv/

Read Entire Article