Kreu i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj doli sot në një konferencë për shtyp duke dhënë detaje në lidhje me vrasjen e Erion Çelës dy vite më parë në zonën e “Don Boskos” në kryeqytet, në një atentat në të cilin ai ishte ngatërruar me Geron Hasanbelliun.
Vocaj tha se atentati ishte kryer me porosi të Kasandër Nogës, i cili kishte paguar Kevin Suçin për të ekzekutuar Hasanbelliun dhe nipat e tij për shkak të një hasmërie të vjetër me njeri-tjetrin. Ngjarja ishte kryesisht e zbardhur, por lajmi i ri sot ishte caktimi i masës së sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Roland Ahmetsulajn, i cili sipas policisë dyshohet se ka ndihmuar Suçin ditën e atentatit.
Lexo edhe :
Related Posts
Ngjarja e rëndë ndodhi në janar 2022 në donën e “Don Boskos” në Tiranë dhe krahas Çelës që ndërroi jetë, u plagosën edhe katër persona të tjerë.
Atentati erdhi disa muaj para se vetë Noga të tentonte vrasjen e Hasanbelliut në Belgjikë. Në atë atentat ai u arrestua nga policia, kurse Hasanbelliu mori plagë të rënda, por shpëtoi.
Sipas policisë, fillimisht Noga kishte porositur vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj për vrasjen e Hasanbelliut, po rata u tremben dhe më pas u kontraktua Kevin Suçi dhe disa persona të tjerë, ende të paidentifikuar nga policia.
Vocaj tha se ishte Suçi ai i cili derdhi një breshëri të gjatë automatiku në janarin e vitit 2022 duke shkaktuar atë që u quajt “masakra e Don Boskos”.
Kasandër Noga dhe vëllezërit Erion dhe Geron Hasanbelliu vijojnë prej vitesh goditjet ndaj njeri-tjetrit, në një sagë hakmarrjeje që deri më tani ka shkaktua shumë viktima.
Si nisi
Erion Hasanbelliu është emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi në vitin 2013, është ekstraduar nga Brukseli drejt Shqipërisë, pasi bashkë me të vëllanë akuzohen se, në vitin 2002, kanë vrarë në Anversë të Belgjikës, Julian Çelën dhe kanë plagosur rëndë, Kasandër Nogën për motive hakmarrjeje.
Kasandër Noga nga Patosi, në vitin 2000 i ka vrarë babain Erion Hasanbelliut pas një konflikti. Vëllai i tij, Geron Hasanbelliu është vënë në pranga 14 qershor 2013, në rrugën e Barrikadave në Tiranë.
Arrestimi dhe ekstradimi i tij në vitin 2013, është bërë pasi Gjykata e Fierit, me vendimin e datës 7 shtator 2009, e ka dënuar me 25 vjet heqje lirie për kryerjen e veprës penale të “vrasje me paramendim për gjakmarrje e kryer në bashkëpunim”, “vrasje me paramendim për gjakmarrje“ e kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë, “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.
Masakra e Sanatoriumit para 22 vjetësh
Më 19 gusht të vitit 2000 Kasandër Noga hyri në sanatorium i shoqëruar edhe nga Julian Çela dhe pasi shkelmuan dhomën e reanimacionit ku ndodheshin të shtruar Aqif Hasanbelliu (babai i vellezërve Hasanbelliu) dhe Dritan Hajdini, shoku i Geronit, u ka hequr serumin nga krahu dhe me breshëri automatiku i ka lënë të vdekur në vend. Vrasja ndodhi për motive hakmarrjeje, pasi këta persona i kishin vrarë kohë më parë vëllain, Kasander Nogës.
Hakmarrja në Belgjikë dhe arratisja në Itali
Vëllezërit Hasanbelliu u vunë në ndjekje të djaloshit nga Patosi i Fierit dhe dy vjet më vonë, më 17 mars të vitit 2002, Geroni së bashku me Erionin, tentojnë të hakmerren.
Në Anversë të Belgjikës, ata ekzekutojnë Julian Celën dhe plagosin rëndë Kasandër Nogën në një lokal të hapur në qytetin e dytë me të madh belg pas Brukselit.
Pas ngjarjes në Belgjikë, Geroni arriti të arratisej dhe u strehua në Itali, ku u arrestua në vitin 2009 dhe u ekstradua në Shqipëri.
Kurse Kasandër Noga, autori i masakrës së Sanatoriumit, u arrestua nga policia belge gjatë vitit 2003 dhe në 2005-ën u ekstradua në Shqipëri, pasi mbi të rëndonte një dënim me burgim të përjetshëm.
Atentati ndaj Erion Hasanbelliut
Kasandër Noga nga Patosi, dyshohet se ishte autori që qëlloi me të paktën 6 plumba mbi kurrizin e Erion Hasanbelliut në qershor 2022 në Belgjikë.
Noga dhe Hasanbelliu janë emra të njohur për drejtësinë shqiptare dhe po ashtu për njëri tjetrin pasi hasmëria mes tyre vijon prej më shumë se dy dekadash.
Hasanbelliu po ecete buzë një rruge, ku dy persona (njëri prej të cilëve dyshohet se ishte Kasandër Noga) iu afruan dhe hapën zjarr ndaj tij duke e lënë ta plagosur rëndë. Pas këtij atentati u arrestua Noga, për të cilin policia shqiptare thotë se po punon për ta ekstraduar në Shqipëri. /vizionplus.tv