Spiropali i bën thirrje opozitës: Të shohë përtej penxhereve e hekurave, të na bashkohet në Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion

4 months ago 28

Ministrja Elisa Spiropali, me anë të një shkrimi në rrjetet e saj sociale, në Ditën Ndërkombëtare të Parlamentarizmit  ka bërë thirrje opozitës të bashkohet në Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion.

Ajo tha se Kuvendi nuk është arenë e fjalës pa fre. Spiropali ndër të tjera theksoi se të jesh përfaqësues i popullit nuk është vetëm detyrë partie, por edhe detyrë Shqipërie.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Parlamentarizmit, uroj të mësojmë nga historia.

Ajo na ka dëshmuar se debatet më të forta dhe më jetëgjata janë ato me fjalët më të zgjedhura, se Kuvendi nuk është arenë e fjalës pa fre, po freri i çdo lloj abuzimi me fjalën, se të jesh përfaqësues i popullit tënd nuk është vetëm detyrë partie, por mbi të gjitha e gjithçka detyrë Shqipërie, dhe se funksionet ligjvënëse, monitoruese e mbikqyrëse të Kuvendit nuk janë fjalë goje, por detyra që marrin vlerë vetëm kur kanë për qëllim të vërtetën.

Shqipëria2030 në Bashkimin Europian nuk është slogan elektoral, por angazhim kombëtar plotësisht i realizueshëm.

Uroj që opozita të kuptojë e të brendësojë rëndësinë e saj duke parë përtej penxhereve e hekurave që ia pamundësojnë vështrimin e horizonteve më të gjera e të na bashkohet në Komisionin e Posaçëm për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit, Antikorrupsionin dhe në Komisionin për Dezinformimin, duke dëshmuar përgjegjësi e pjekuri në këtë prag mbylljeje të sesionit parlamentar.

Sesioni tjetër, një hap më pranë zgjedhjeve, uroj të mos shtojë nxehtësinë, por cilësinë e punës së Kuvendit tonë të përbashkët”, shkruan Spiropali./vizionplus.tv

Read Entire Article