Stefo Lazo, bakërpunuesi i fundit: Nuk pranon askush të vijë dhe të mësojë zanatin tim

8 months ago 11

Stefo Lazo është bakërpunuesi i fundit i gjeneratës së repartit të bakrit dhe i punishteve të artizanatit që u krijuan në rrethin e Gjirokastrës rreth viteve ’60.

Ai ende mban të hapur një punishte të vogël në fshatin Vrisera në Dropull. Dikur godina strehonte të paktën 4-5 mjeshtëri të artizanatit që nga lëkurëpunuesit, rrobaqepësit e këpucarët. Me rënien e sistemit mjeshtërit u larguan dhe shumica e ushtruan profesionin në emigracion, por Stefo Lazo qëndroi në fshat për t’i shërbyer porosive që lidhen me enët e bakrit.

“Unë këtë zanat e mësova në Gjirokastër në vitin ’77. Kam 50 vjet që e bëj këtë profesion. Tek kjo godinë e Riparim-Shërbimeve u futën të gjitha zanatet në atë kohë, këpucarë, rrobaqepës, gjithë artizanati ishte këtu. Vështirësia e profesionit qëndron në bërjen e një kazani nga fleta e bakrit me dorë. Nuk ka ndonjë mekanizëm është e gjitha me dorë. Por kur bën diçka dhe ja jep tjetrit është edhe kënaqësi”, u shpreh Stefo Lazo.

Mjeshtri i disa dekadave tregon se profesioni është në zhdukje sepse edhe kërkesat për të punuar enë bakri pas modernizimit të kuzhinës me alumin e inoks janë gjithnjë e më të pakta. Kërkesa që i ka rezistuar më shumë kohës mbetet ajo e kazanëve të rakisë që ende vijon të distilohet në mënyrë artizane në të gjithë jugun. Turizmi evidentoi edhe objekte pothuajse të zhdukura si tiganët me gropa të qifqive që mund të prodhohen tërësisht në bakër ose objekte të vjetra që mund të vishen me kallaj.

“Bakri sa vete e nuk e përdorin shumë në shtëpi se ka dalë alumini, ka dalë inoksi por ka akoma ca njerëz që e përdorin. Gjirokastra bën edhe tiganin e qifqive. E kanë si traditë ata. Kam bërë shumë nga ata tiganët por duhet të jetë bakër që ta bësh. Ky është një zanat në zhdukje. Nuk e preferon njeri që të vijë e ta mësojë zanatin”, tha Stefo Lazo.

 Stefo sot 64 vjeç ndjen keqardhje që nuk ka kujt t’ja trashëgojë profesionin. Megjithëse një lloj interesi për të investuar në fshat po rikthehet koha rrezikon që të zhbëjë edhe profesionin e bakërpunuesit jo vetëm në Dropull e Gjirokastër por kudo në Shqipëri.

Shumë dijeni që lidhen me trashëgiminë jomateriale nuk janë më prezente në rajon duke nisur nga mjeshtëria e punimit të veglave muzikore frymore në dru e metal, jorganpunuesit, shajakpunuesit e lëkurëpunuesit. Pothuajse jo prezente është edhe një nga dijenitë mijëravjeçare të rajonit që lidhet me proceset e përpunimin artizanal të leshit.

Top Channel

Read Entire Article