Stuhi të fuqishme godasin Shtetet e Bashkuara, 25 të vdekur

5 months ago 17

Stuhi të fuqishme, erëra shkatërruese dhe breshër në madhësi të topit të golfit goditën pjesën veriore të Teksasit të martën. Pjesa më e madhe e Shteteve të Bashkuara u goditën gjatë fundjavës nga stuhi dhe tornado të fuqishme që lanë rreth 25 të vdekur.

Ndërprerje të energjisë elektrike janë raportuar në shkallë të gjerë në Teksas, ndërsa ai shtet u godit nga një valë e hershme e të nxehtit. Njoftohet se 800,000 abonentë nuk kishin energji elektrike të martën.

Ndërsa zhvillohej një balotazh në atë shtetet, disa qendra votimi njoftuan mungesë të energjisë elektrike. Rreth 100 qendra votimi në qarkun e Dallas-it nuk kishin qasje në rrjet.

Gjykatësi i qarkut të Dallas-it, Clay Jenkins, e shpalli atë rajon zonë fatkeqësie ndërsa vuri në dukje se disa shtëpi pleqsh po përdornin gjeneratorët. “Kjo tregon se do të përballemi me një situatë shumë-ditore të ndërprerjes së energjisë elektrike”, tha zoti Jenkins të martën.

Parashikimet e motit tregojnë për një mot të ashpër dhe shira të dendura në zonën e Dallas-it mbrëmjen e së martës. Edhe qyteti i Hjustonit pritet të përballet me stuhi të forta, ndërsa zyrtarët paralajmërojnë për erëra që kapin shpejtësinë mbi 100 kilometra në orë që mund të shkaktojnë dëme. Rreth dy javë më parë Hjustoni u përball me uragane që ndërprenë energjinë elektrike për më shumë se 800,000 abonentë.

Stuhitë shkatërruese gjatë fundjavës shkaktuan vdekje në Teksas, Oklahoma, Arkansas, Mizuri, Kentaki, Karolinën e Veriut dhe Virxhinia.

Shtatë persona humbën jetën në kontenë Cooke të Teksasit, nga një tornado që goditi një lagje të varfër, thanë zyrtarët. Shteti Arkansa njoftoi për tetë viktima. Dy të vdekur u raportuan në kontenë Mayes në Oklahoma. Rrëzimi i një peme shkaktoi vdekjen e një burri nga Mizuri të dielën. Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, tha në një konferencë shtypi të hënën se pesë persona kishin vdekur në shtetin e tij.

Një tornado e mundshme dëmtoi një shkollë të mesme dhe disa shtëpi në Pensilvani mbrëmjen e së hënës. Nuk ka njoftime për të lënduar.

Rreth 160,000 shtëpi dhe biznese nuk kishin energji elektrike të martën pas stuhive që goditën Kentakin, Arkansasin, Virxhinian Perëndimore dhe Mizurin.

Javën e kaluar tornadot në Ajova lanë të paktën pesë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Gjatë këtij muaji rreth tetë vetë kanë humbur jetën në Hjuston nga stuhitë. Stuhitë vijnë pasi ndryshimet klimatike në përgjithësi kontribuojnë në ashpërsinë e stuhive në mbarë botën.

Fundi i majit shënon kulmin e sezonit të tornadove, por stuhitë e fundit kanë qenë jashtëzakonisht të dhunshme, duke prodhuar tornado shumë të forta, tha Victor Gensini, profesor i meteorologjisë në Universitetin e Illinoisit të Veriut.

“Gjatë fundjavës kemi pasur ajër shumë të nxehtë dhe të lagësht që i kanë ushqyer këto stuhi”, tha zoti Gensini.

Harold Brooks, shkencëtar në Laboratorin Kombëtar të Stuhive të Rënda në Norman të Oklahomës, tha se ajri i ngrohtë dhe të lagësht është fajtor për tornadot gjatë dy muajve të fundit./voa

Read Entire Article