The Economist: Netanyahu minoi paqen në Lindjen e Mesme, duhet të largohet

8 months ago 36
Reklamë

The Economist i ka kushtuar një editorial situatës kritike në Lindjen e Mesme, ku përvec dhjetëra mijëra viktimave në Gaza dhe të masakruarve në Izrael, konflikti rrezikon të zgjerohet ndjeshëm.

Pasi siguron lexuesit se është për shkatërrimin e Hamasit dhe zëvendësimit të tij në Gaza, revista thekson se situata e sigurisë së Izraelit është në pikëpyetje të madhe dhe për këtë, bën përgjegjës Netanyahun dhe politikat e tij të ashpra ndaj palestinezëve.

Revista shkruan:

Ka kaos në Lindjen e Mesme. Në Gaza, 2 milionë civilë të goditur nga lufta janë në rrezik urie. Sulmet ndaj anijeve të mallrave nga rebelët Houthi kërcënojnë tregtinë. Kufiri verior i Izraelit është i tensionuar pas vrasjes së një udhëheqësi të Hamasit në Bejrut më 2 janar. Një ditë më vonë një shpërthim vrau të paktën 100 njerëz në Iran.

Lufta mund të shpërthejë midis Izraelit dhe Hizbullahut. Dy gjëra janë të qarta. Sulmet e 7 tetorit po transformojnë Lindjen e Mesme. Dhe nën udhëheqjen e Binyamin Netanyahut, Izraeli po bën gafa që minojnë sigurinë e tij.

Që nga masakra e civilëve izraelitë nga Hamasi në tetor, Izraelit i është dashur të rishikojë doktrinën e tij të sigurisë. Kjo doktrinë përfshinte heqjen dorë nga paqja me palestinezët, ndërtimin e mureve dhe përdorimin e teknologjisë për të zmbrapsur sulmet dhe infiltrimin me raketa. Kjo nuk funksionoi. Palestinezët u radikalizuan dhe muret nuk i penguan mizoritë e 7 tetorit. Mbrojtja ajrore e Izraelit mund të jetë në limite nga arsenali gjithnjë e më i sofistikuar i raketave nga militantët e mbështetur nga Irani në Liban, Jemen dhe gjetkë.

Si mund të funksionojë një doktrinë e re izraelite e sigurisë?

The Economist mbështet heqjen e Hamasit nga pushteti në Gaza: ai ka shtypur dhe varfëruar njerëzit atje. Është gjithashtu një pengesë për paqen. Por Izraeli duhet ta bëjë të qartë se lufta e tij është me terroristët.

Kjo do të thotë të përdorësh forcën me maturi dhe të lejosh më shumë ndihmë. Do të thotë gjithashtu të kesh një plan për pas luftës që krijon një rrugë drejt një shteti të moderuar palestinez.

Një qasje e tillë do të ndihmonte në ruajtjen e mbështetjes dypartiake për Izraelin në Amerikë dhe gjetkë. Kjo është thelbësore: Amerika frenon Iranin dhe mbështet afrimin midis Izraelit dhe shteteve të Gjirit që gjithashtu kundërshtojnë ndikimin e Iranit. Më e rëndësishmja, kjo garanton sigurinë e vetë Izraelit.

Mjerisht Netanyahu e ka shmangur këtë logjikë  në Gaza. Taktikat e Izraelit tregojnë mospërfillje të panevojshme për jetët e civilëve. Autoritetet e drejtuara nga Hamasi atje thonë se 22,000 civilë dhe luftëtarë kanë vdekur.

7000 të tjerë mund të qëndrojnë nën rrënoja. Izraeli thotë se ka vrarë 8000 terroristë.

Shumë pak ujë, ushqim dhe ilaçe po arrijnë në Gaza dhe nuk ka zona vërtet të sigurta për civilët. Z. Netanyahu duket se nuk ka plan të pasluftës, përveç anarkisë apo pushtimit ushtarak. Ai ka përjashtuar drejtimin e Autoritetit Palestinez në Gaza. Ekstremistët në koalicionin e tij flasin, në mënyrë të egër, për zhvendosjen e përhershme të palestinezëve nga enklava.

Çfarë e shpjegon këtë miopi?

Është e vërtetë që opinioni publik izraelit tregon pak simpati për palestinezët dhe se zhdukja e Gazës mund të ndihmojë në rivendosjen e fuqisë frenuese të Izraelit. Megjithatë, shpjegimi kryesor është dobësia e zotit Netanyahu.

I dëshpëruar për të qëndruar në detyrë, ai u ka dhënë zemër ekstremistëve në koalicionin e tij dhe elektoratit izraelit, ndërkohë që teston durimin e Amerikës dhe shtetet arabe. Kjo do të sjellë rezultat të kundërt në fakt.

Merrni frontin verior: kërcënimi i një pushtimi të Hizbullahut ose sulmeve me raketa do të thotë që një rrip i Izraelit verior është tani i pabanuar. Megjithatë, opsionet e Izraelit janë të zymta. Një pushtim parandalues i Libanit mund të çojë në një zhytje në moçal, të shkaktojë kolapsin e plotë të shtetit libanez dhe të prishë marrëdhëniet me Amerikën.

Diplomacia mund të krijojë një zonë tampon midis Hizbullahut dhe kufirit të Izraelit, por nevojitet një plan rajonal për të frenuar dhe penguar Iranin. Kjo kërkon mbështetjen e Amerikës, aleatëve të tjerë perëndimorë dhe, në mënyrë ideale, shteteve arabe të Gjirit, të cilat Netanyahu po i largon të gjitha.

Popullariteti i Netanyahut në vend ka rënë ndjeshëm. Gjykata e Lartë e Izraelit vendosi kundër tij.

Nisur nga trauma e 7 tetorit, pasardhësi i tij nuk do të jetë i butë me sigurinë. Por një udhëheqës më i mençur izraelit mund të kuptojë se zia e bukës në Gaza, anarkia ose pushtimi i pafund atje dhe erozioni i mbështetjes amerikane nuk do ta bëjnë Izraelin më të sigurt. /Përktheu: Klodjana Agaj-vizionplus.tv 

Read Entire Article