Tirana fiton kupën e Shqipërisë, Besëlidhja dorëzohet në finale, trofeu i 20-të për bardheblutë

9 months ago 30

Tirana fitoi kupën e Shqipërisë në basketboll për meshkuj për herë të 20 në histori. Bardheblutë dominuan Besëlidhjen duke e mundur me rezultatin 91 me 74.

Ndryshe nga pritshmëria, fitore e lehtë për kryeqytetasit të cilët kanë sfumuar diferencat jo të vogla të evidentuara në kampionat ku lezhjanët pak javë më parë e mundën pa shumë vështirësi ekipin bardheblu, aq me tepër që në kampionat Besëlidhja është dominuese pa asnjë humbje.

Mirëpo këtë herë në finalen e kupës zhvilluar në pallatin e sportit “Feti Borova” në kryeqytet, historia ka qenë ndryshe. Të besuarit e Erkand Karaj dominuan që në fillim duke mbyllur periodën e parë 23 me 18, ndërsa në pushimin mes pjesëve diferenca shkoi në plus 14 për Tiranën.

Besëlidhja e trajnerit Afrim Bilali nuk mundi të futej në asnjë moment në ndeshje duke u dorëzuar edhe më shumë në dy periodat e mbetura derisa në fund gjithçka u mbyll me një diferencë 17-pikëshe. Diferencën tek Bardheblutë e bëri Aris me 35 pikë të shënuar, ndërsa tek Besëlidhja spikati Hamati me 21 pikë.

Tirana zbret nga froni i kupës Teutën që ishte fituese në fuqi dhe thellon rekordin si ekipi më i titulluar në historinë e basketbollit tonë për meshkuj./vizionplus.tv

Read Entire Article