Ish-presidenti i SHBA-së dhe i rikandiduari republikan Donald Trump ka kritikuar ashpër presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për refuzimin, siç thotë ai, për të bërë një marrëveshje me Rusinë për t’i dhënë fund luftës që shpërtheu në vitin 2022.
“Ne vazhdojmë t’i japim miliarda dollarë dikujt që refuzon të bëjë një marrëveshje”, tha Trump, i cili do të kërkojë rizgjedhjen më 5 nëntor. “Sa herë që vjen në vendin tonë, ai largohet me 60 miliardë dollarë, jam i sigurt se ai është biznesmeni më i mirë në planet”, shtoi manjati me sarkazëm gjatë një paraqitjeje në fushatën në Karolinën e Veriut.
“Kaq shumë të vdekur, çdo marrëveshje, madje edhe marrëveshja më e keqe, do të ishte më e mirë se ajo që keni tani,” vazhdoi ai.
Gjithashtu, Donald Trump fajësoi presidentin demokrat në largim Joe Biden dhe zëvendëspresidentin e tij dhe rivalen presidenciale Kamala Harris për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Ukrainën, duke thënë se ai do t’i jepte fund nëse zgjidhej më 5 nëntor.
“Ata nuk do të jenë të kënaqur derisa të dërgojnë fëmijë nga Amerika për të luftuar në Ukrainë”, argumentoi manjati. “Ne nuk do të dërgojmë ushtarët tanë të vriten në anën tjetër të oqeanit” premtoi ai.
Biden mirëpret sot zotin Zelensky në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti ukrainas pritet të paraqesë në takim një “plan fitoreje” të shumëpërfolur kundër Rusisë./vizionplus.tv